“Sandviçin me vete”: Mbi 25 mijë euro harxhoi Hoti në dreka, bileta e hotele për tre muaj


Mbi 25 mijë euro janë shpenzuar nga kryeministri Avdullah Hoti dhe kabineti tij në dreka, bileta, akomodime, taksi, telefon e derivate që nga 3 qershori kur e kishte marrë pozitën e kreut të ekzekutivit e deri më 30 shtator.
Rreth 1 mijë euro i kushtuan drekat zyrtare të parit të ekzekutivit i cili tha se për drekë merr me vete sandviç nga shtëpia në zyrë.

Sipas dokumenteve nga Zyra e Kryeministrit, jashtë shtetit, me para të taksapaguesve kosovarë, drekat që i ka ngrënë i pari i ekzekutivit kapin shumën prej 3 mijë e 92 euro.
Bazuar në këto të dhëna kryeministri ka shpenzuar plot 6 mijë e 7 euro në akomodime dhe 3 mijë e 797 euro të tjera në bileta.
247 euro e 94 cent Hoti i shpenzoi në telefonata ndërsa 433 euro e 92 cent i shpenzoi në derivate.

Zëvendësi i tij, Driton Selmanaj kishte thënë se kryeministri i Kosovës nuk e harxhon buxhetin e Kosovës, madje ai edhe bukën e merr nga shtëpia.
“Na e kemi nje kryeministër i cili bukën e merr me vete nga shtëpia. Kryesisht merr sandviça me bukë të zezë dhe e han në zyrë. Bile nganjëherë më thotë zëvendës a po do ti?”, kishte deklaruar Selmanaj.
I pyetur se çka ka ngrënë për drekë, kreu i ekzekutivit ishte përgjigjur: “sandviç si përditë”.

Baby Boo