Sami Lushtaku dërgohet në zyrat e EULEX-it


Nënkryetari i Komunës së Skenderajt dhe kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës në këtë komunë, Sami Lushtaku, mbrëmjen e sotme është dërguar në zyrat e EULEX-it në Fushë Kosovë, raporton Gazeta Sinjali.

Këtë e ka konfirmuar për Sinjalin djali i Lushtakut, deputeti Mërgim Lushtaku, i cili tha se babai i tij i shoqëruar nga avokati ndodhet në zyrat e EULEX-it në Fushë Kosovë.

“Po, janë duke biseduar me avokatin, pasi sipas të gjitha gjasave është vetëm për telefon. Sipas avokatit vetëm për telefon dhe ende është në zyret e EULEX-it“, tha ai për Sinjalin.

Kujtojmë se gjatë ditës së djeshme Gjykata Speciale ka bastisur shtëpinë e ish-eprorit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Sylejman Selimi.

Zëdhënësi i Zyrës së Prokurorit të Specializuar, Christopher Bennett, konfirmoi për Sinjalin se ZPS-ja po kryen operacione të vazhdueshme, të cilat mbështeten nga EULEX-i dhe Policia e Kosovës.

“ZPS-ja po kryen operacione të vazhdueshme me mbështetjen e EULEX-it dhe Policisë së Kosovës”.

Lidhur me këtë është deklaruar avokati i Selimit, i cili tha për media se ish-komandanti nuk është intervistuar në cilësinë e të dyshuarit, por që brenda shtëpisë së tij ka mundur të ketë dëshmi që ndërlidhen me procedimet penale për pengim të drejtësisë.

“Ai nuk e ka statusin e personit të dyshuar. Por sipas urdhrit të gjykatës, mendohet se në shtëpisë e tij mund të ketë pasur prova të cilat ndërlidhen me procedimet penale për pengim të drejtësisë”, ka thënë avokati Qerkini.

Baby Boo