RUZHIN: BRENDA NJË VITI MAQEDONIA NË NATO, JA SI DO RRJEDHIN BISEDIMET ME BE-NË


Pas nënshkrimit të marrëveshjes për zgjidhjen e kontestit të emrit me Greqinë, Maqedonia më së voni për një vit mund të bëhet anëtare e NATO-s, ndërsa rreth 5 vite do të zgjasin bisedimet deri në anëtarësimin e plotë në Bashkimin Evropian. Kështu vlerëson diplomati Nano Ruzhin, i cili thotë se deri në anëtarësimin e plotë në këto dy organizata ndërkombëtare, vendi do të përfitojë shumë edhe gjatë periudhës paraqasëse. Në samitin e radhës sipas Ruzhin, Maqedonia do të merr ftesë, ndërsa përparësi vendi ka se shumë protokole dhe detyra i ka kryer, ndërsa do të pritet vetëm zbatimi i marrëveshjes me Greqinë që mund të zgjas më së shumti deri në fund të vitit ose muajin shkurt. Pasi të ndryshohet edhe emri kushtetues, Greqia do të njoftojë Aleancën se mund të anëtarësojë Maqedoninë me të drejta të plota.
Nano Ruzhin, diplomat
“Meqë më pas fillon fushata në Greqi dhe në vendet anëtare të BE-së për zgjedhje të euro deputetëve, me fjalë të tjera, rruga e Maqedonisë deri në anëtarësimin e plotë në NATO, nëse gjithçka shkon normalisht, thuajse një vit. Domethënë deri në këtë kohë vitin e ardhshëm mund të bëhet anëtare e NATO-s”
Diplomati Nano Ruzhin sqaron se anëtarësimi në Bashkimin Evropian dallon nga ai në NATO dhe mer më shumë kohë. Të paktën 4 deri në 5 vite do të kalojnë bisedimet të cilat ai pret që të fillojnë në vjeshtë të këtij viti.
Nano Ruzhin, diplomat
“Bisedimet mund të fillojnë ose në vjeshtë, varësisht nga disponimi i Macron dhe Merkel, ose do të pritet të mbahen zgjedhjet e euro deputetëve dhe të fillojnë në muajin maj. Bisedimet fillojnë me hapjen e kapitujve, kjo procedurë zgjat shumë, nëse fillojnë më 2019 të paktën 4 deri në 5 vite do të zgjasë procedura për marrjen e statusit të anëtarit të plotë të BE-së”
Anëtarësimi në NATO do t’i jep Maqedonisë sigurinë dhe integritetin territorial, ndërsa kjo thotë diplomati Nano Ruzhin do të sjellë edhe shumë përfitime ekonomike. Ai kujton se ka shumë kompani të cilat investojnë drejtpërdrejtë në vendet anëtare të NATO-s, ndërsa bisedimet me Bashkimin Evropian do të sjellin poashtu ringjallje ekonomike falë reformave dhe investimeve që do të realizohen. Por përfitimet sipas Nano Ruzhinit do të vijnë menjëherë me zbatimin e marrëveshjes së posanënshkruar.
Nano Ruzhin, diplomat
“Pra e para, përfitimet nga marrëveshja. Maqedonia bëhet anëtare e Iniciativës Jon-Adriatik, një organizatë e fuqishme rajonale. E dyta debllokohet marrëveshja për stabilizim dhe asocim, pra fonde të mëdha të cilat nga viti 2004 janë bllokuar për Maqedoninë. E treta, Maqedonia fiton partner strategjik në Greqi, përveç kësaj marrëveshje do të nënshkruhen edhe mbi 20 marrëveshje të tjera për partneritet strategjik në sfera të ndryshme”
Përfitimet nga anëtarësimi në NATO dhe hapja e bisedimeve me BE-në do të kalojnë edhe kufijtë e Maqedonisë. Zgjidhja e kontestit me Greqinë, sipas profesorit universitar dhe diplomatit Nano Ruzhin, do të shërbejë edhe si stimul për zgjidhjen e problemeve mes Kosovës dhe Serbisë, si dhe për stabilitetin e Bosnjës dhe Hercegovinës. Kështu thotë ai nga marrëveshja Shkup-Athinë, përfitime do të ketë edhe i gjithë rajoni i Ballkanit Perëndimor.

SHENJA/

Baby Boo