Rusja e akuzuar për spiunazh shpallet non-grata në Kosovë


Ministri i Punëve të Brendshme të Kosovës, Xhelal Sveçla, përmes një postimi në Facebook ka bërë të ditur se Daria Asmalova është shpallur person “non-grata” në Republikën e Kosovës. Sveçla ka thënë se Asmalovas do t’i ndalohet hyrja në territorin e Kosovës për pesë vite.

“Si Ministër i Punëve të Brendshme, brenda kompetencave të mia ligjore, bazuar në Ligjin për të Huaj, Nenet 17 dhe 66 A, kam shpallur person të padëshirueshëm në Republikën e Kosovës Daria Asmalovan. Hyrja e këtij personi është e ndaluar për pesë vite në territorin e Republikës së Kosovës”, ka shkruar Sveçla.

Kujtojmë se Asmalova është ndaluar dje në pikëkalimin kufitar të Kosovës, pasi që shumë shtete kanë thënë se ajo është e angazhuar në spiunazh për inteligjencën ushtarake ruse dhe se ka vepruar nën petkun e gazetares. Sveçla ka thënë se kushdo që tenton të destabilizojë vendin do të përballet me forcën e ligjeve të Republikës së Kosovës, teksa ka shtuar se tentimi i Asmalovas për të hyrë në Kosovë vjen një javë pas tensioneve të shkaktuara në veri.

Postimi i plotë:
Si Ministër i Punëve të Brendshme, brenda kompetencave të mia ligjore, bazuar në Ligjin për të Huaj, Nenet 17 dhe 66 A, kam shpallur person të padëshirueshëm në Republikën e Kosovës Daria Asmalovan. Hyrja e këtij personi është e ndaluar për pesë vite në territorin e Republikës së Kosovës. Kushdo që me qëllime apo direktiva të caktuara cënon apo tenton të destabilizojë vendin tonë, do të përballet pa diskutim me forcën e ligjeve të Republikës së Kosovës.

Baby Boo