Rrugët me kalldrëme nuk zëvendësohen me asfalt


Gati se një javë, kanë rifilluar punët për rehabilitimin e rrugës “Todor Xhipovski Merxhan” në Tetovë. Punët ishin ndërprerë nga policia e Tetovës pasi që gjatë kontrollit të kryer në punët që realizohet, janë takuar dhe më pas arrestuar tre shtetas të Shqipërisë që nuk kanë patur leje për qëndrim dhe për punë në vendin tonë. Pas tejkalimit të këtyre problemeve, tashmë në këtë rrugë zhvillohen punimet, respektivisht rregullimi i kalldrëmeve. Pasi që është rrugë që ndodhet në pjesën e vjetër të qytetit të Tetovës, asfaltimi nuk parashihet por vetëm rregullimi i pllakave prej guri.

”Pllakat prej guri, ose në popull si njihen kalldrëme, kanë qenë të vendosura, por janë dëmtuar, janë nxjerrë dhe tash vendosen sërish të njëjtat. Bëhet vetëm rehabilitimi, nuk ka ndërhyrje tjetër, me pllaka të reja apo me asfalt, por janë të njëjtat pllaka. Ka mungesë, sepse për arsye të ndryshme janë larguar dhe nuk janë vendosur sërish, por ne si ndërmarrje kemi pllaka të këtilla në depot tona dhe do të zëvendësohen. Mundohemi që mos e humbim identitetin e vjetër të kësaj zone apo të kësaj rruge”, tha Memet Jonuzi, udhëheqës i Sektorit për tokë ndërtimore në komunën e Tetovës.

Nga Sektori për komunikacion dhe tokë ndërtimore thonë se janë munduar që në këtë zonë të mos shtrohet asfalt por të ruhet identiteti i rrugës. Në Tetovë, kryesisht në zonën e vjetër ka shumë rrugica që janë me pllaka prej guri dhe të njëjtat sipas komunës nuk janë duke u zëvendësuar me asfalt ngase tentohet që ajo pjesë të mbrohet dhe të ruhet ashtu siç ka qenë.

“Shumë rrugë ka në Tetovë që janë me pllaka prej guri, sidomos në atë pjesë që quhet si pjesa e vjetër dhe ne jemi munduar që ato rrugë të mos asfaltohen apo vendosen pllaka të reja, por të njëjtat të vendosen sërish. Është pjesa në çarshinë e Epërme dhe pjesa tek ish biblioteka të cilët ende e ruajnë karakterin nga e kaluara dhe ne nuk dëshirojmë që të preket në këtë drejtim” tha Jonuzi.

Asnjë rrugë në territorin e komunës së Tetovë nuk është e mbrojtur me ligj që do të ndalonte ndërhyrjen, respektivisht zëvendësimin e kalldrëmeve me asfalt, por nga komuna e Tetovës thonë se kjo është mbrojtur me iniciativë të vet komunës. Nga komuna e Tetovës nuk përjashtojnë mundësinë që të ketë një vendim që këta rrugë në zonën e vjetër të jenë zonë e mbrojtur. (koha.mk)

Baby Boo