Rritja e rasteve rrezikon shkollat, Carovska: Nëse përkeqësohet situata, do të sjellim vendime tjera


Rritja e rasteve me Kovid-19 do të paraqesë sfidë edhe për vitin shkollor. Me protokollet arsimore po mundohemi të mbajmë nën kontroll situatën epidemiologjike, por nëse gjendja epidemiologjike qëndron kështu siç është apo shkon duke u bërë më keq, atëherë do të mendojmë edhe për vendime të tjera.

Kështu deklaroi ministrja e Arsimit dhe Shkencës, Milla Carovska. Por edhe pse u pyet nga TV21, ajo nuk tregon se sa duhet të jetë kufiri epidemiologjik, përkatësisht sa raste pozitive me Kovid-19 duhet të ketë në ditë që të dihet se a do të mbyllen apo hapen shkollat në një komunë.
“Nëse gjendja epidemiologjike është kështu apo më keq, atëherë do të mendojmë edhe për tjera vendime që janë të rëndësishme. Për këtë nuk vendos Ministria e Arsimit, por e vendos Komisioni për Sëmundje Ngjitëse e cila e udhëheq procesin për ballafaqim me Kovid-19”, deklaroi Carovska.

Por pavarësisht rritjes së numrit të Kovid-19, grupi i prindërve që duan rikthimin e fëmijëve në shkollë kërcënojnë me padi deri te Gjykata Kushtetuese.
Sfidë për mësimin nga distanca paraqet mungesa e IT apraturës te nxënësit dhe mësuesit. Vetëm në shkollën “Petar Zdravkovski Penko” rreth 120 fëmijë mësojnë nga televizioni.
“Diku 120 nxënës. Materialet do t’u dërgohen nga çdo arsimtar dhe siç tha ministrja, do ta ndjekin mësimin në radiotelevizionin nacional”, tha drejtori i “Penkos”, Enis Mehmeti.

E mësimi në distancë ndezi alaramin për kushtet në të cilat po punojnë mësuesit.
“Disa kolegëve u është dyfishuar puna, gjegjësisht u është dyfishuar fondi i orëve, që është në kundërshtim me Ligjin për mësuesit dhe punëtorëve profesional, dhe me këtë edhe obligimet e punës tejkalojnë orarin prej 8 orësh. MASH nuk po respekton as jetën private dhe orarin e punës të mësuesve, pasi po dorëzon detyra deri te mësuesit deri në orën 23 dhe kërkon që ata të përfundohen deri në orët e mëngjesit të ditës së nesërme”, alarmuan nga Sindikata e Pavarur e Arsimit dhe Shkencës.

Si prindërve edhe mësuesve Carovska u rekomandoi të bëhen solidarë.
“Tash është me rëndësi të kemi solidaritet, është me rëndësi që të gjithë mësuesit që janë pjesë e sistemit ta tregojnë madhësinë. Kemi mësues shumë cilësor, ishin trajnues nacional, trajnuan kolegët e tyre, dhe jam e sigurt se ata edhe tash do ta tregojnë solidaritetin e tyre”, porositi Carovska.

Ndërkohë, procesi arsimor në vend po zhvillohet në tre forma. Në shkolla me prani fizike, nga distanca nëpërmjet platformës nacionale dhe nëpërmjet Radiotelevizionit të Maqedonisë.

Baby Boo