Rritet numri i personave të shtruar në infektiv, më pak të intubuar


Me rritjen e shifrave të të infektuarve, në 24 orët e fundit janë rritur edhe shtrimet në Spitalin Infektiv, ndërsa janë ulur personat e shtruar në terapi intensive dhe të intubuar.

“Aktualisht ne sherbimin infektiv po marrin shërbim 55 pacientë, 8 prej tyre janë në terapi intensive ndërsa 2 janë të intubuar”, tha ministria.

Në vendin tonë janë aktualisht 663 persona aktivë me COVID19, kryesisht në Tiranë, Shkodër, Krujë.

Ministria theksoi se nisur nga fakti se ditet e fundit po vihet re shtim i rasteve në aktivitete biznesi, ndërmarrje me shumë punëtorë, institucione publike dhe private, i bëhet apel të gjithëve:

Është shumë e rëndësishme që jo vetëm personat e konfirmuar pozitivë por edhe ata që janë të dyshuar apo janë në që janë në pritje të përgjigjes së testit, duhet të qëndrojnë të izoluar në shtëpi, pasi janë burim për përhapjen e infeksionit.

Ju lutemi respektoni rregullat. E vetmja mënyrë për të ndaluar përhapjen e infeksionit është duke ruajtur distancën fizike prej 1.5 metër nga njëri tjetri, duke ruajtur higjienën personale dhe duke larë duart vazhdimisht, bizneset dhe institucionet duke respektuar protokollet e përcaktuara.

Maskat janë një domosdoshmëri për t’u mbajtur kudo ku ambienti është i mbyllur, në spitale, qendra shëndetësore, dyqane, supermarkete, parukeri, taksi, ambiente pune, zyra shërbimesh.

Qytetarët duhet të shmangin grumbullimet masive pasi janë burim infeksioni, të evitojnë ceremonitë mortore dhe vizitat tek të afërmit për çdo lloj arsye.

Kujtojmë edhe një herë se çdo rast i identifikuar pozitiv, duhet të vetëizolohet dhe se shkelja e rregullave nga kushdo do të konsiderohet rrezik për jetën dhe shëndetin e të tjerëve.

Familjarët e pacientëve në spitale të shmangin sa më shumë vizitat, të moshuarit kur është e mundur të shmangin kontaktet në qendrat shëndetësore, por të kontaktojnë me mjekun e familjes për barnat me rimbursim.

Kontaktoni me mjekun e familjes ose telefononi Urgjencën Kombëtare në numrin 127 nëse dyshoni se ju apo një i afërmi juaj është i prekur nga Covid19″.

COVID-19 – Statistika (18 Qershor 2020)
Testime totale 21790
Raste pozitive 1788
Raste të shëruara 1086
Raste Aktive 663
Humbje jete 39 (Qarku Tiranë 22, Durrës 7, Fier 4, Vlorë 1, Shkodër 4, Kukës 1)
Shpërndarja gjeografike e rasteve aktive sipas qarqeve:
Tiranë 326
Durrës 132
Shkodër 111
Vlorë 42
Fier 24
Elbasan 9
Korçë 7
Lezhë 5
Kukës 5
Gjirokastër 1
Berat 1

Baby Boo