Rritet numri i lypsarëve në rrugë, disa punojnë për grupe të organizuara


Lëmosha në Kosovë po rritet dukshëm, si pasojë e numrit të shtuar të lypsarëve.

Këtë e tregojnë edhe statistikat e Policisë së Kosovës.

Derisa në vitin 2017 ishin identifikuar 339 raste të lëmoshë-kërkuesve, ky numër është rritur në 442 raste për këtë vit.

Kështu, ky problem po del të jetë mjaft shqetësues, edhe përkundër faktit se janë ndërmarrë veprime të ndryshme nga Policia e Kosovës, raporton KTV.

Lypsarët, zakonisht, kërkojnë të holla për ushqim, por ankohen se nuk ndihmohen nga askush tjetër përveç qytetarëve.

Dyshohet se këta persona, shpeshherë, përfundojnë duke u shfrytëzuar nga grupe të ndryshme përfituese, gjë të cilën e kanë pranuar vetëm prapa kamerave.

E, në Policinë e Kosovës thonë se numri më i madh i këtyre personave vijnë nga disa qytete të Kosovës, por është edhe një numër i madh i tyre që vijnë nga Shqipëria.

“Një numër i tyre janë shtetas të Republikës së Kosovës dhe e frekuentojnë qytetin e Prishtinës, por edhe qendrat e tjera dhe shumica e tyre vijnë nga Fushë Kosova, Lipjani, Ferizaj, Obiliqi etj. Ndërsa, një numër i konsiderueshëm i tyre vijnë edhe nga Republika e Shqipërisë dhe njihen ndryshe me termin ‘persona në lëvizje’”, thuhet në një përgjigje nga Policia e Kosovës – Zyra e Informimit.

Lëmoshë-kërkuesit, kryesisht fëmijët, janë të detyruar ta kryejnë këtë, që shumë prej tyre e konsiderojnë “punë”.

Baby Boo