Rrëfimi prekës i Ismail Morinës: U bëra baba në burg..


Ismail “Ballist” Morina është më në fund i lirë dhe ka lënë pas krahëve makthin e një viti të kaluar në qeli, në një situatë absurde ku ai u kthye brenda pak çastesh në një terrorist të shumëkërkuar ndërkombëtar. Morina tashmë është në Itali, në Lenjano ku banon me familjen e tij dhe për mediat vendase ka treguar këtë aventurë aspak të këndshme që ka kaluar, percjell Fakte.

“Absolutisht nuk e prisja. Prisja kërcënime në rrjetet sociale nga ndonjë tifoz, por jo që të shihesha si terrorist nga një shtet i tërë. Filloi një gjueti ndaj meje, më kanë burgosur për muaj në Kroaci ku isha kalimthi në qershor 2017. Pastaj më sollën në Itali ku kam rezidencën dhe më dhanë arrest me burg. Në fund, gjykatësit italianë refuzuan ekstradimin në Serbi dhe tani jam një njeri i lirë.

Autoritetet serbe më akuzuan për krimin e nxitjes së urrejtjes ndëretnike, racore e fetare. Gjesti im ishte mbështetje ndaj flamurit dhe skuadrës me disa referime ndaj historisë tonë, ndërsa autoritetet e kanë parë në një mënyrë të ndryshme dhe ka filluar për mua një persekutim i vërtetë.

A jam ekstremist? Jo, janë ata ekstremistët. Nëse do të përfundoja në Serbi do të rrezikoja një dënim të rëndë prej 8 vitesh burg, për të mos harruar këtu edhe shpërblimin që kanë vënë për kokën time. Nuk prisja që të jepej një urdhër arresti ndërkombëtar nga një shtet, e as që të akuzohesha për urrejtje etnike. Më shpallën luftë për vite me radhë e vazhdojnë të më bëjnë luftë.

Flamurin zgjodha ta valëvis sepse është historia jonë, por nuk ka kuptim politik, e aq më pak racist. Është histori, e jona.

Në Lenjano banoj prej vitesh. Kam gruan dhe fëmijët, një nga të cilët lindi kur isha në burg. Ishte shumë e vështirë, por falë miqve ia dola ta kaloj. Tani shpresoj të hedh pas krahëve këtë aventurë të shëmtuar. Nuk ishte aspak e bukur të bëhesha i kërkuari numër një për një tallje futbollistike”, ishin fjalët e Morinës.

Baby Boo