Rrëfimi i dhimbshëm i Sheremet Sejdiut, që serbët ia vranë 4 djemtë në oborrin e shtëpisë(VIDEO)


Në fshatin Qirez dhe Likoshan në Skenderaj familjarët e 24 civilëve shqiptarë të masakruar nga forcat serbe, presin njerëz për homazhe e ngushëllime më 28 shkurt, në përvjetorin e masakrës. Sheremet Sejdiu 82 vjeç, thotë se mërzinë për katër djemtë që iu vranë në oborrin e shtëpisë e ka në zemër tash e 25 vjet. Ditët me shi sikur sot, plaku në moshë të shtyrë i kalon në odën në hyrje të oborrit, aty ku mbanë kujtime e fotografi të djemve

Pesë ditë para sulmit ndaj familjes Jashari, kodrat e Qirezit dhe Likoshanit ishin larë me gjak.

Në malet e Drenicës, zbarkuan tanket e Serbisë ku 24 civilë u ekzekutuan barbarisht nga ushtria dhe policia serbe.

“Sa më folke, sa më folke ai sa kërsitke dhëmbët prej gazepi dojke me, lshonum bre. Si ma shkurt kuj mos i raft ky farë zori, erdha këtu e pash dikur dy i prun, edhe dy atje të vranë katër…Beqiri, Nazmia, Bedrija, Bekimi”, ka thënë Sheremet Sejdiu, baba i katër martirëve.

Kufomat e katër djemve në oborrin e shtëpisë po i kërkonte një plisbardhë me trup të njomë. Kur i gjetën, i renditën e i mbuluan me flamuj kombëtar në odën e moçme siç, thotë Sheremet Sejdiu.

Ky moment u kap nga aparati i një gazetareje që nuk i dihet emri, por që shkrepja e saj do të mbetet dëshmi e gjallë përgjithnjë.

“Beso para shkallëve qitu, iu marrke zani sikur me dal ti, iu kallxojka hallkit baba i katër djemve, baba i katër djemve, kurrë pa u ndalur. Iu marrke zani u ndërrojke tjetri, kur një gazetare tha a mundesh me nejt, thash po, a mund rrin, thash unë rri”, ka thënë ai.

Njërin djalë e ka në Gjermani, ndërsa Bekimi, dhe binjakët Nazmiu e Bedriu plakut 82-vjeçar ia lanë barrë kujtimet, ndërsa djali i madh Beqiri i la pas trashëgim nipin, mbesën dhe nënën që jetojnë nën një çati me Sheremetin.

Besniku mban veshur uniformën e ushtrisë së Kosovës, FSK-së. Sipas gjyshit ai është më i heshtur, ishte 3-vjeç kur ndodhi masakra, ndërsa mbesa pak muajshe.

Asaj nuk i pëlqen të flasin për të kaluarën, ndonëse ndjehet krenare për sakrificën e familjes për lirinë që e gëzojmë.

“Kajher thotë boll allahile babë, lene rahat, u bo po hjekim, po unë kam pas qef me ditë për babën tem. E unë deshta me të kallxu qysh u kanë rasti çika jem, mesa jem. Po e di po s’po muj qëndroj, mos mujsh me qëndru po tërhjekna. Se nuk po du me i ronu tash fëmijët”, ka thënë ai.

Baca Sheremet, siç e quajnë, me mysafirë është mësuar vetëm në përvjetorin e masakrës. Mërzia thotë se e ka rënduar, e madje tregon se të gjithë ia kanë lakmi për sakrificën, por askush nuk do ta mbajë në shpirt mërzinë që e ka ai.

25 vjet pas kësaj masakre, dëshmitarët po plaken e disa edhe kanë vdekur, ndërsa asnjë nga përgjegjësit e krimit nuk është sjellë para drejtësisë.

VIDEO

Baby Boo