RMV, sot fillon projekti prej 1.26 milionë euro i financuar nga BE-ja për reforma në pylltari


Sot, zyrtarisht fillon projekti prej 1.26 milionë euro i financuar nga BE: “Përkrahje për reformat në pylltari në Republikën e Maqedonisë”. Fillmi i projektit do të bëhet në Klubin e deputetëve, ku do të marrin pjesë ambasadori Dejvid Gir, Shef i delegacionit të Bashkimit Evropian, Lupço Nikollovski, ministër për bujqësi, pylltari dhe ekonomi të ujërave dhe Kaja Shukova, ministre e mjedisit jetësorë dhe planifikimit hapësinorë, transmeton Portalb.mk.

Me këto para do të bëhet sigurimi i njohurive teknike për themelimin e Agjencisë për pyjet dhe transformimin e ndërmarrjes publike “Pyjet e Maqedonisë” si një organ efikas kombëtarë për pyjet. Do të themelohen ueb – vegla për parandalimin e prerjes ilegale, si dhe sistemi për certifikim të pyjeve në së paku 100.000 hektarë të pyjeve të Republikës së Maqedonisë së Veriut. Menaxhimi më i mirë ekonomik, social dhe ekologjik me pyjet do të rezultojë me cilësi më të lartë të jetës, në veçanti në rajonet rurale dhe ato malore, njoftuan nga Delegacioni i BE-së në Shkup,

“Bashkimi Evropian do ta përkrah zhvillimin e qëndrueshëm të sektorit të pylltarisë përmes realizimit të lehtësuar të strategjive dhe politikave. Ministria për bujqësi, pylltari dhe ekonomi të ujërave do të jetë bashkëbiseduesi kryesorë gjatë realizimit të reformave 2 vjeçare që do të pasojnë në drejtim të menaxhimit me pyjet. Kjo reformë është ngushtë e lidhur me parimet themelore të Planit të gjelbër të BE-së dhe Agjendës së gjelbër për Ballkanin Perëndimorë, që ka për qëllim të siguroj mbrojtje më të mirë të pyjeve dhe ruajtjen e biodiversitetit të pyjeve”, thuhej dje në njoftimin e Delegacionit të BE-së.

Gjatë vitit 2020, BE-ja vlerësoi 160 milionë hektarë të sipërfaqeve pyjore, që nënkupton se pyjet mbulonin 39 % të sipërfaqes tokësore të BE-së. Viset më të mëdha pyjore në BE ishin në Suedi (28 milionë hektarë), Finlandë (22 milionë hektarë) dhe Spanjë (19 milionë hektarë).

Kujtojmë se Maqedonia e Veriut më 9 mars mori 80 milionë euro mbështetje financiare nga Bashkimi Evropian. Kryeministri, Dimitar Kovaçevski, në konferencë për shtyp theksoi se këto mjete përdoren për mbështetje buxhetore në vend. Euroambasadori në vend, Dejvid Gir, tregoi se kjo mbështetje financiare do t’i ndihmojë qytetarët që të përballen me kërkesat që u shfaqën si pasojë e krizës energjetike.

BE-ja, e cila përveç ndihmës së vazhdueshme financiare për projektet që janë pjesë e agjendës së reformës, Maqedonisë së Veriut i ka dhënë edhe mjete grant për përballim me krizën. Në vitin 2020 gjithashtu edhe Republikës së Maqedonisë së Veriut i është ndarë grant prej 40 milionë eurosh përkrahje buxhetore e drejtpërdrejtë për qëndrueshmërinë sociale dhe ekonomike të shtetit në përballjen me krizën e shkaktuar nga pandemia KOVID-19.

Baby Boo