“Ringjallja” e Babchenkos, gazetari rus inskenoi vrasjen e tij me shërbimin sekret

Fatmirësisht vrasja e Arkady Babçenko, që ngjalli reagime të ashpra në shumë vende të botës, ishte vetëm një skenar i forcave të shërbimit sekret në Ukrainë.

Baby Boo

 

Gazetari rus, i cili u raportua të ishte ekzekutuar në Kiev gjatë mesnatës mes të martës dhe të mërkurës, është gjallë dhe shëndoshë e mirë. Ai u shfaq në një konferencë për shtyp gjatë kësaj të mërkure, ndërsa kreu i shërbimeve sekrete ukrainase, Vasyl Grytsak po shpjegonte se vrasja ishte inskenuar për të ekspozuar agjentët rusë.

 

Grytsak akuzoi shërbimet ruse të sigurisë se kanë pasur një plan për të vrarë gazetarin dhe për këtë, i kanë paguar një agjenti 30 mijë dollarë. Ai bëri të ditur se agjenti është arrestuar nga shërbimet ukrainase të sigurisë dhe ky operacion i cili ka filluar prej 2 muajsh ka arritur të parandalojë edhe një varg sulmesh të tjera, por nuk dha më shumë detaje se për çfarë bëhet fjalë.

 

Babchenko u shfaq i tronditur para gazetarëve duke deklaruar se ishte përfshirë vullnetarisht në një operacion special të forcave ukrainase për t’i shpëtuar jetën dhe se ishte mirë. “Kërkoj ndjesë për tronditjen që ju kam shkaktuar, Nuk kisha mënyrë tjetër. Dua t’i kërkoj ndjesë bashkëshortes për tmerrin që i shkaktova”.-tha Babchenko para mediave.

 

Njoftimi për vrasjen e tij solli një shkëmbim të nxehtë akuzash mes Moskës dhe Kievit dhe tronditi grupet mediatike në të dyja vendet. I njohur si kritik i ashpër i Kremlinit, Babchenko garoi në zgjedhjet jozyrtare të organizuara nga opozita në vitin 2012, e denoncoi veprimet e Rusisë në Siri dhe në lindje të Ukrainës.

Ai u largua nga Rusia në vitin 2017, pasi u kërcënua me vdekje.

 

Gazetari u bë objekt kërcënimesh pasi u shpreh se nuk ndjente keqardhje për viktimat e një avioni rus që u rrëzua vite më parë gjatë fluturimit për në Siri.