Rexhail Qerimi në vitet e 80-ta kishte vuajtur burg për arsimin shqip në Kumanovë


Në moshën 53 vjeçare ndërroi jetë Rexhail Qerimi. Ish ushtari i UÇK-së dhe ish i burgosur në vitet e 80-ta për paralelet shqipe në Kumanovë, gjeti vdekjen në kërkim të drejtësisë për rastin “Alfa”, shkruan Alsat.
Qerimi ishte arrestuar në vitin 2008 si i dyshuar për vrasjen e një polici dhe plagosjen e dy të tjerëve, pjesëtarë të njësitit policorë “Alfa” në nëntor të vitit 2008 në parkingun e Fakultetit matematiko-natyror në Shkup.

Një dekadë pas vendimit gjyqësor për ta dënuar Rexhail Qerimin dhe Agim Islamin me burg të përjetshëm, video incizimi i cili ishte prova më e fortë në akuzën e cila i ngarkohej, doli në opinion. Ndonëse Prokuroria Publike, Byroja për ekspertizë ligjore dhe Ministria e Brendshme kishin deklaruar se nuk posedojnë mundësi për zbardhjen e video incizimit, organi akuzës asnjëherë nuk u shpjegua se si Qerimi dhe Islami u identifikuan si autorë të veprës dhe u dënuan me burg të përjetshëm derisa video incizimi nuk ishte zbardhur në faza fotogrametike dhe antropologjike.

Në qershor të vitit 2021 mbrojtja në rastin “Alfa” bëri ekspertizë të video incizimit. Qendra për hulumtime forenzike në Serbi konstatoi se personat të cilat vuajnë dënime më burg të përjetshëm për rastin “Alfa”, nuk kanë asnjë lidhje me personat nga video incizimi i marrë si dëshmi për vendime gjyqësore të nivelit më të lartë. Për gati një vit Gjykata Penale dhe Prokuroria Publike zvarrisin procedurën për rigjykimin e rastit edhe pse Ligji i procedurës penale garanton se pas dëshmive të cilat sjellim momente të reja, rastet shkojnë në rigjykim.

Sot Gjykata Penale pret vendimin e Apelit mbi ankesën e të dënuarit tjetër për rastin “Alfa”, Almir Derplanin, i gjykuar në mungesë dhe i ekstraduar më pas në vend. Nuk është kërkuar as mendimi i Prokurorisë Publike si organ i ndjekjes penale i cili akuzën e ka bazuar në video incizim. Një mendim konkret nuk është kërkuar as nga Byroja për ekspertizë ligjore, duke lënë kështu në pritje mbrojtjen, të dënuarit dhe familjet e tyre.
Në prononcimin e fundit Gjykata Penale ka potencuar se pas kompletimit të dokumentacionit, do të kërkohet mendimi në Prokurorinë Publike dhe në byro për të vendosur më pas nëse rasti “Alfa” shkon ose jo në rigjykim.

Baby Boo