Revizioni në muzeun e VMRO-së, shumë parregullsi


Grupi i punës i formuar nga ish-ministri i Kulturës, Robert Allagjozovski, ka konstatuar parregullsi dhe shpenzime të paligjshme për muzeun e VMRO-së.

Komisioni 6-anëtarësh pas analizës ka konstatuar se nevojitet revizion i ekspozitës, e cila aktualisht është e përhershme, dhe riemërim i muzeut.

Rekomandohet që nga emri, i cili aktualisht është “Muze i luftës maqedonase për shtetësi – Muze i VMRO-së dhe Muze i viktimave të komunizmit”, të përjashtohet pjesa e dytë dhe emri i tij të jetë Muze i luftës maqedonase për shtetësi.

Rekomandohet që të largohen edhe figurat nga dylli meqë gjatë punimit të tyre nuk janë marrë parasysh dëshmi origjinale, porse kanë dominuar idetë e realiyatorëve.

Komisioni ka konstatuar se vizitorët kanë pasur ndjenjën se janë në teatër. Grupi i punës mes tjerash ka konstatuar se gjatë ndërtimit ka pasur shkelje të supozuara të më shumë ligjeve.

Ky objekt ishte pjesë e projektit “Shkupi 2014” dhe ka kushtuar 12 milionë euro.

Komisioni ka konstatuar edhe më shumë shkelje të ligjeve për financimin e institucioneve kulturore dhe muzeore, ridedikim të paligjshëm të parave të buxhetit dhe keqpërdorime të tjera financiare.