Remzi Mehmedi: Nuk kemi dalur në skenë për të qenë kundër dikujt, por për një “shtet për të gjithë”


Kandidatët për deputetë në zonën e pestë zgjedhore, Syrija Rashidi dhe Remzi Mehmedi, gjatë ditës së djeshme hapën solemnisht punimet e shtabit zgjedhor të Koalicionit Aleanca për Shqiptarët dhe Altenativa në Strugë. Para struganëve, nënkryetari i Aleancës për Shqiptarët, Remzi Mehmedi, i cili radhitet i dyti në listën e kandidatëve për deputetë, prezantoi ofertën “Shtet për të gjithë”, duke e vënë theksin tek arsimi dhe shëndetësia. Mehmedi i luti aktivistët nga Struga që të përmbahen para çdo provokimi të mundshëm nga ana e kundërshtarëve politik.

“Ne nuk i kemi dalur në skenë për të qenë kundër dikujt. Kemi dalur për të qenë pro një shteti të drejtë, kemi dalur për të qenë pro një shteti me arsim cilësor, me shëndetësi cilësore dhe ne shumë çështje të tjera. Çdo provokimi që mund të vijë nga kundërshtarët, sado i ulët të jetë, mos iu përgjigjni me të njëjtën monedhë sepse dëshirojnë të na bëjnë si veten. Përgjigjuni duke trokitur në një derë të re për të kërkuar një mbështetje plus në emër të ndryshimit, duke thënë arsyen se ata kërkojnë me çdo kusht ruajnë pushtetin për ta ruajtur veten e tyre nga e kaluara, ndërsa ne kërkojmë legjitimitetin për të ndërtuar një të ardhme të përbashkët ndryshe”, tha mes tjerash para struganëve, Remzi Mehmedi.

Syrija Rashidi: Kryeministri nuk sjell barazi, por barazia sjell kryeministër

Deputeti aktual dhe bartësi i listës së kandidatëve për deputetë në zonën e pestë nga ana e Koalicionit ASH-AAA, Syrija Rashidi, ka marrë pjesë në fillimin e punimeve të shtabit zgjedhor të Strugës. Rashidi ua bëri me dije struganëve faktin se sa shumë po rritet mbështetja për koalicionin “Tash është Koha”, i cili në zgjedhjet e 15 Korrikut do të arrijë fitoren e madhe për ta sjell ndryshimin e merituar ndër shqiptarë.

“Në zgjedhjet e kaluara ishte beteja për mbi jetesë i këtij projekti, kurse tani më, lirisht mund të them se Aleanca për Shqiptarët dhe Alternativa janë koalicioni i sigurt fitues në zgjedhjet e ardhshme parlamentare, koalicion i cili përfundimisht do ta sjellë ndryshimin. Nuk ka kurrfarë dileme këtu pasi shqiptarët nuk kanë më alternativa dhe zgjedhje tjera. Është zgjidhja e vjetër e cila nuk ofron asgjë dhe kemi zgjidhjen që sjell ndryshimin dhe do të implementojë një program mjaft cilësor që quhet ‘Shtet për të gjithë’”, theksoi kandidati Syrija Rashidi.

Rashidi ka folur edhe për lojën që po e luan BDI me gjoja kryeministrin shqiptar. Sipas tij, BDI u bashkua edhe me Lube Boshkovskin, vetëm për ta mundur kandidatin shqiptar në Strugë, duke e tjetërsuar vullnetin e shumicës shqiptare.

“Është absurde kur thonë se kryeministri do të sjellë barazi. Ne u themi se kryeministri nuk sjell barazi, por barazia e sjell kryeministrin. Kryeministri do të kishte sjellë barazinë aq sa edhe kryetari i Parlamentit solli barazinë. E dini, kishim kryetar Parlamenti shqiptar, të cilin ne e votuam, por me sakrificë, ne do të votojmë përsëri kryetar parlamenti shqiptar, por nuk e di a ka ndikuar diçka pozitivisht nëpër shtëpitë tuaja, keni pasur më shumë ujë për pije, keni pasur rrugë më të mira, ngaqë kishim kryetar parlamenti shqiptar. Por, do të thonë se kryetari i parlamentit shqiptar fliste shqip në Kuvend, pastaj udhëhiqte seancat shqip. E kjo është e vërtetë, shqip me dy të tretat e shpëtoi nga paraburgimi Trajko Veljanoskin. Është e habitshme se si kohët e fundit kemi dëgjuar se sillen si opozitë, ata fajësojnë LSDM-në dhe VMRO-në për të gjitha të këqijat e shqiptarëve, ata thonë se VMRO dhe LSDM na qenkan antishqiptare, ne e dimë që VMRO dhe LSDM nuk i duan shqiptarët dhe kjo nuk është diçka e re, por edhe kur nuk i kanë dashur shqiptarët, ata e kanë dashur BDI-në”, theksoi mes tjerash bartësi i listës së zonës së pestë, Syrija Rashidi.

Baby Boo