Rektori i UT-së, Prof. Dr. Jusuf Zejneli mori pjesë në manifestimin tradicional kulturor-shkencor “Drita e Gonxhes”


Rektori i Universitetit të Tetovës, Prof. Dr. Jusuf Zejneli mori pjesë në edicionin e tretë të manifestimit tradicional kulturor-shkencor “Drita e Gonxhes”, i cili u organizua në Shkup nga Instituti i Trashëgimisë Shpirtërore e Kulturore të Shqiptarëve në Maqedoninë e Veriut.
Ky manifestim përkon me 113-vjetorin e lindjes dhe 26 vjetorin e ndërrimit nga jeta të Nënë Terezës dhe organizohet në bashkëpunim me disa institucione nga vendi ynë dhe Republika e Kosovës, ku do të përfshijë një gamë aktivitetesh në Shkup, Prishtinë, Tiranë dhe Prizren, dedikuar veprimtarisë jetësore të Gonxhe Bojaxhiut, Shenjtores Nënë Tereza.
Me këtë rast, Rektori i Universitetit të Tetovës, Prof. Dr. Jusuf Zejneli u shpreh se ne jemi me fat që i takojmë kombit të Nënë Terezës, të cilin Ajo e përfaqësoi me vlerat dhe virtytet që sot i njeh e gjithë bota. “Në Universitetin e Tetovës, ne kemi organizuar ngjarje dhe aktivitete të panumërta me karakter arsimor dhe shkencor, kemi shënuar përvjetorë të ndryshëm të historisë sonë kombëtare, kemi përuruar botime, revista dhe vepra të rëndësishme të personaliteteve më eminentë kombëtarë dhe ndërkombëtarë, mirëpo ndihemi të lumtur si asnjëherë më parë, që Universiteti ynë i ka kushtuar një veprimtari shkencore – shenjtërimit (4 shtator 2016), të Nënë Terezës, nobelistes, shenjtores shqiptare, humanistes më të madhe që ka njohur bota. Shenjtërimi i Nënë Terezës përjetësoi vlerat e personalitetit të saj me përmasa gjigante, shenjtores që jetoi mes njerëzish, që ua mësoi atyre bujarinë, zemërgjerësinë, bamirësinë, dhembshurinë, mëshirën dhe altruizmin. Për shenjtoren e dashurisë, të urtësisë dhe mëshirës, personalitete të mbarë botës kanë dhënë vlerësimet më të larta, për të janë publikuar me qindra studime e vështrime në revistat më prestigjioze të botës, janë botuar dhjetëra libra për veprimtarinë, humanizmin dhe dashurinë e saj të pakufishme”, tha mes tjerash Rektori i UT-së, Prof. Dr. Jusuf Zejneli.
Rektori i UT-së, në përmbyllje të fjalës së tij tha se, Nënë Tereza personifikon shembullin më tipik të qytetërimit dhe humanizmit të shekullit të saj, si një gjeni universale sa shqiptare edhe botërore, sa tokësore edhe qiellore. Andaj, e kemi detyrim kombëtar ta mbrojmë, kujtojmë e nderojmë emrin dhe figurën e saj me përmasa universale. Për personalitetin dhe kontributin e Nënë Terezës, në misionin e saj, vlerësimet e tyre i dhanë edhe drejtori i Institutit të Trashëgimisë Shpirtërore.

Baby Boo