Regjistrimi i popullsisë ngjall reagime në Maqedoni


Të gjitha partitë politike shqiptare kanë kundërshtuar propozimin e Entit Shtetëror të Statistikave në Maqedoni, që gjatë regjistrimit të popullsisë të fshihet paragrafi rreth përkatësisë etnike dhe asaj fetare.

Këto reagime vijnë pasi drejtori i Entit Shtetëror të Statistikave ka paralajmëruar se në bazë të propozim-ligjit për regjistrimin e popullsisë, nuk parashihet paragrafi mbi përkatësinë etnike dhe religjionit.

Drejtori i Entit Shtetëror të Statistikave, Apostoll Simovski, ka theksuar se të dhënat rreth përqindjes së përkatësisë etnike dhe asaj fetare janë keqpërdorur për qëllime politike.

Në bazë të regjistrimit të popullsisë, që parashihet të realizohet në prill të vitit 2020, për të kuptuar se cilës bashkësi etnike i takon çdo qytetar i Maqedonisë, duhet të përgjigjet në pyetjen “cila është gjuha amë e tij, dhe cilën gjuhë flet në komunikim“.

Partitë politike shqiptare konsiderojnë se regjistrimi i popullsisë në asnjë mënyrë nuk paraqet vetëm një proces të thjeshtë statistikor, por ky operacion është dhe politik sepse pikërisht përqindja e përkatësisë etnike ndërlidhet me realizmin e shumë të drejtave të shqiptarëve që burojnë nga marrëveshja e Ohrit.

popullsisë
Regjistrimi i fundit është realizuar në vitin 2002, që u shoqërua me debate të shumta lidhur me përqindjen e popullatës shqiptare, e cila rezultoi të jetë 25.17 për qind. Nga numri i përgjithshëm dhe në bazë të kësaj përqindjeje, u përcaktuan edhe dispozitat kushtetuese mbi të drejtat e bashkësive etnike.

Xhevdet Nasufi, njohës i çështjeve juridike, i cili ka qenë i kyçur në hartimin e marrëveshjes së Ohrit, për Radion Evropa e Lirë, thotë se në këtë formë që propozon Enti Shtetërorë i Statistikave, do të thotë dhe shlyerje e të drejtave të caktuara për popullatën shqiptare, të drejta këto që janë të garantuara me Dokumentin Kornizë të Ohrit që i dha fund konfliktit të armatosur gjatë vitit 2001.

“Këtë e them për një arsye shumë të thjeshtë, sepse marrëveshja e Ohrit në fakt është një marrëveshje mes shqiptarëve dhe maqedonasve nga e cila buron ai postulati kryesor për pozitën, statusi si dhe avancimi i të drejtave të shqiptarëve, zhvillimi i demokracisë, zhvillimi i kulturës, arsimit, zhvillimin e gjithçkaje që është me interes të realizimit të të drejtave të shqiptarëve në Maqedoni“.

“Këtu si shtyllë kryesore kemi përfaqësimin e shqiptarëve në institucione në përputhje me përqindjen e shqiptarëve sa i përket numrit të përgjithshëm të popullatës si dhe përdorimit zyrtar të gjuhës shqipe”, thotë Nasufi.

Sipas tij, përderisa nuk është realizuar në tërësi marrëveshja e Ohrit, paragrafi i përkatsisë etnike mbetet element shumë i rëndësishëm në procesin e regjistrimit të popullsisë.

Por, Donco Gerasimovski ish drejtor i Entit Shtetërorë të Statistikave, për Radion Evropa e Lirë thotë se në shumë shtete të Bashkimit Evropian, gjatë procesit të regjistrimit fare nuk përfshihet përkatësia etnike dhe ajo fetare.

Sipas Gerasimovskit, regjistrimi duhet të paraqet një proces të pastër statistikor rreth numrit të popullsisë në Maqedoni, ku për bazë duhet të merret shtetësia maqedonase.

“Me rëndësi është përfshirja e popullsisë në procesin e regjistrimit, në mënyrë që të sigurohen të dhënat e nevojshme për numrin e personave që jetojnë në Maqedoni, në mënyrë që institucionet përkatëse të mund të realizojnë planifikimin dhe zhvillimin e çënjtjeve në lëmi të caktuara”, thotë Gerasimovski.

Por, me këtë qëndrim nuk pajtohet Xhevdet Nasufi, sepse siç thotë, Maqedonia me marrëveshjen e Ohrit paraqet një shtet me shumë specifika të veçanta ku pikërisht përqindja e popullatës është vendimtare për realizimin e të drejtave të caktuara të shqiptarëve në Maqedoni.

“Akoma nuk mund të themi se është mbyllur çështja e integrimit të shqiptarëve në sistem. Integrimi i shqiptarëve në sistem është çështje madhore, ai përfshin vendimmarrje ai përfshin zbatim dhe kontroll të politikave shtetërore dhe ne jemi të vetëdijshëm se shqiptarët në këto segmente nuk janë prezente, ose janë në nivel minimal, në margjina të përfillshme”, thotë Nasufi.

Ndryshe, regjistrimi i Popullsisë në Maqedoni për herë të fundit është realizuar para 16 viteve . Institucionet e ndryshme kanë theksuar se mungesa e regjistrimit të popullatës u shkakton probleme të shumta gjatë planifikimit të politikave ekonomike, arsimore, sociale.

Mungesa e regjistrimit të popullatës ka nxjerr shumë anomali dhe në listën zgjedhore.

Partitë politike shqiptare, veçmas ata në opozitë, thonë se pa një përfaqësim të drejtë dhe adekuat në pozitat drejtuese të Entit Shtetëror të Statistikave, regjistrimi i popullsisë nuk mund të jetë i besueshëm.

Baby Boo