Refuzoi donacionin nga Kazinot, Arianit Xhaferi: E vlerësoj veprimin e drejtorit Florin Besimit


Ditë më parë drejtori i Spitalit Klinik të Tetovës, FLorin Besimi ka refuzuar një donancion nga Kazinot ka bërë bujë të madhe në Tetovë dhe qytetet tjera. Aktivisti i shoqërisë civile dhe njëherit edhe drejtues i OJQ “Eco Guerilla”, Arianit Xhaferi ka përshëndetur këtë veprim të drejtorit Besimi duke e cilësuar si një veprim të drejt.

“Drejtori i spitalit klinik në Tetovë, z. Florin Besimi e ka refuzuar donacionin e kompanive të bixhozit, ndërkohë që drejtori i spitalit klinik në Gostivar z. Jakup Jakupi ka pranuar (sipas informacioneve të mija) ndihmë të tillë nga bixhozi tre herë deri tani. Sado që ndihma dhe donacioni duhet mirëpritur në raste krize, unë personalisht vlerësoj se drejtori Florin Besimi ka vepruar drejt. Nuk është tek përkatësia partiake, është tek njeriu – sepse (me sa e di unë) të dy janë anëtarë të të njëjtit subjekt. Lufta kundër bixhozit duhet të vazhdojë me intensitet edhe më të madh, për vetë faktin që pushteti i jep shumë rëndësi, dhe i hapi bastoret dhe kazinotë përpara se të hapte shumë institucione tjera më të rëndësishme në vend, dhe të njëjtat punojnë me orar të plotë, edhe më gjatë se restoranet dhe shërbimet fast food. Biles, u hapën akoma pa filluar kampionatet e futbollit dhe sporteve tjera që shesin si shërbime këto kumarhane. Dislokimi i tyre 3 km jashtë vendbanimeve si dhe ndarja e 5% të profitit të tyre për programe rehabilitimi ndaj atyre që kanë krijuar varësi ndaj bixhozit duhet të mbetet synim i pushtetit të ardhshëm, të cilët duhet të pozicionohen qartë nëse do i shërbejnë mirëqenies së qytetarëve apo larjes së parave të pista të politikanëve përmes veprimtarive të këtilla…” ka shkruar Xhaferi.

Nga ana tjetër drejtori Besimi sot sqaroi edhe arsyen se pse ka refuzuar një donacion pasi sipas tij shteti dhe Ministria duhet të kujdesen për spitalet e jo kazinot duke keqpërdorur edhe shumën e ndihmave.

” A nuk duhet që shteti dhe Ministria e Shëndetësisë, si spital, të na sigurojnë materialet dhe pajisjet e nevojshme, a duhet të shkojmë dhe të kërkojmë ndihmë nga kazinot apo bastoret sportive? Një gjë e tillë nuk më vjen në mendje. Për më tepër, ky “donacion” përbëhet nga 10 shtretër për të cilët thuhet se kushtojnë rreth 2.5 milion denarë ose rreth 40,000 euro. Atëherë, çfarë shtretër ka kaq shumë që kushtojnë? Kështu që kur pashë që kazino po reklamohej në mes të spitalit nga disa prej vajzave që kishin ardhur me ta, unë u acarova edhe më shumë. Derisa jam drejtor i spitalit, nuk marr donacione nga kazinot dhe bastet sportive. Është turp që qytetarët e Tetovës të vihen në gjendje të furnizohen me disa pajisje nga kompani që merren me lojërat e fatit”, thekson kështu drejtori i Spitalit Klinik të Tetovës, Dr. Florin Besimi.

Përpos aktivistëve të shoqërisë civile, këtë veprim e kanë përshëndetur edhe disa hoxhallarë dhe shumë tetovarë ku edhe sot nisi një fushatë “Bëhu edhe ti Florin Besimi”.

Baby Boo