Shumica parlamentare nuk e ka mbështetur propozimin e VMRO DPMNE-së opozitare që të shfuqizohet akciza plotësuese prej 3 denarëve për dizelin, që Qeveria e miratoi më 1 janar të këtij viti.
Në seancën e sotme, opozita përsëriti qëndrimin se kjo masë negativisht ndikon ndaj qytetarëve, sidomos ndaj transportuesve. Ndërsa pushteti nga ana tjetër pohon se me paratë e grumbulluara, kthehen borxhe të vjetra dhe realizohen projekte në dobi të qytetarëve.
Është mirë nëse rritet akciza në një shtet, mjetet të ndahen për uljen e ndotjes. Mirëpo, ju me asnjë masë dhe asnjë projekt në periudhën e kaluar nuk bëtë që mjetet t’i ndjejnë qytetarët – tha Liljana Kuzmanovska- VMRO DPMNE.
Është përllogaritur se zbatimi i akcizës së dizelit nuk do të shkakton rritje të përgjithshme të çmimeve. Analizat financiare tregojnë se për vetëm 3 denarë do të rriten çmimet për 0,02% – deklaroi Dime Velkovski- LSDM.
Një pjesë e biznesmenëve të naftës konsiderojnë se mënyra e llogaritjes së çmimit përfundimtar patjetër të ndryshojë sepse bëhet fjalë për metodologji të vjetruar. Por, shtojnë edhe se politika ka ndikim serioz ndaj krijimit të çmimit të derivateve të naftës. Drejtori i përgjithshëm i “Makpetrol”, Andreja Josifovski pret që çmimet e derivateve të rriten.
Kemi metodologji në të cilat përfshihen shpenzimet për përpunimin e naftës së papërpunuar, 27 dollarë për ton. Ne për momentin, nga viti 2012 nuk kemi prodhues të derivateve të naftës në shtet dhe pse metodologjia nuk pëson ndryshime, me të vërtetë nuk e kam të qartë – u shpreh Andreja Josifovski- Makpetrol.
Por, edhe krahas kësaj, për momentin Qeveria nuk mendon të ndryshojë mënyrën e llogaritjes së derivateve të naftës, shprehen për Alsat M nga Ministria e ekonomisë.
“Për ndryshimin e Rregullores dhe metodologjisë për formimin e çmimeve të derivateve të naftës kompetent është Komisioni Rregullator për Energjetikë. Me sjelljen e Ligjit të ri për energjetikë, këto akte duhet të miratohen nga KRRE, në afat prej një viti”, thonë nga Ministria e Ekonomisë.
Nga kompania e naftës OKTA nga ana tjetër, konsiderojnë se vendi ka nevojë për treg të lirë të derivateve të naftës dhe karburanteve.
“Nevojitet të fillohet harmonizimi i legjislacionit në drejtim të liberalizimit të tregut. Megjithatë sot, kjo çështje është në kompetencë të Komisionit Rregullator për Energjetikë”, thuhet në njoftimin e kompanisë OKTA.
Tashmë gjashtë vite në vend nuk prodhohet naftë e as derivate të naftës, por në formimin e çmimit edhe më tej përfshihet edhe kjo normë edhe atë për një ton të prodhuar, shtohet vlerë prej plus 27 dollarë. E tillë ishte marrëveshja që u firmos në vitin 1999 mes kompanisë “Ballkaniki” dhe qeverisë së atëhershme.