Reformat nga “Rrënja”, investohet në mësimdhënësit e ardhshëm


Nxënësit e ardhshëm që do të studiojnë në drejtime ta cilat nxjerrin mësimdhënës, do të stimulohen dhe mbështeten nga qeveria, me qëllim të rritjes së cilësisë të kuadrove arsimore. Këtë e njoftoi ministrja e arsimit Renata Deskovska, e cila tha se është paraparë edhe zhvillimi i karrierës së mësimdhënësve aktual, përmes edukimeve të vazhdueshme.

“Ne tashmë kemi ndërmarrë masa të caktuara me të cilat dëshirojmë që të stimulojmë, nxënësit më të mirë që të regjistrohen në fakultetet që nxjerrin mësimdhënës të ardhshëm. Qeveria solli vendim për dhënien e bursave për nxënësit që kanë pranuar paraprakisht bursa si nxënës të talentuar, me kusht që të vazhdojnë të studiojnë në ndonjë nga fakultetet që nxjerrin mësimdhënës. Në bazë të ligjit për shkollim të mesëm dhe fillor, kemi paraparë që të mbahet llogari për zhvillimin e karrierës së mësimdhënësve dhe edukimin e tyre të vazhdueshëm”, tha Renata Deskoska, Ministre e Arsimit.

Pedagogët shprehen se nevojiten reforma rrënjësore, sidomos në avancimin e profesionit mësues, përmes trajnimeve shtesë.

“Ne kemi ligje për momentin të cilat nuk janë në funksion dhe ligje që janë në funksion dhe nuk promovojnë zhvillim profesional ashtu siç duhet, andaj iu është lënë OJQ-ve, ambasadave, por nevojitet që Byroja për zhvillimin e arsimit dhe MASh ta marrin këtë rol”, tha Lulzim Mehmeti, profesor universitar.

Ndryshe, sa i përket rritjes së pagave të mësimdhënësve, Ministria e arsimit dhe shkencës kujtoi se nga shtatori do të rriten pagat e arsimtarëve dhe ky trend do të vazhdojë edhe në vitet e ardhshme. /tv21/

Baby Boo