REFERENDUMI SI TEST I ORIENTIMIT STRATEGJIK


Shkruan: Xhelal NEZIRI

Referendumi kthen çdo votues në ekspert kurse çdo deputet në spektator. Kjo nga shkaku se votuesi ka autorizuar deputetin të vendosë në emër të tij, ta përfaqësojë në vendimmarrje.

Shpesh është kundërshtuar si formë më e drejtpërdrejtë e vendosjes në demokraci. Bile është thënë se për çështje të mëdha, të ndërlikuara dhe përcaktuese të ardhmërisë nuk duhet të vendoset vetëm me një “po” ose “jo”.
Nëse një votues mund të veprojë me emocione, i zgjedhuri (deputeti) vepron në bazë të rrethanave, mundësive dhe synimeve finale. Nëse votuesi ka për bazë momentin, i zgjedhuri ka parasysh vizionin.

Kundërshtarët e referendumit thonë se kjo formë e vendimmarrjes e ndanë shoqërinë në dy tabore të acaruara, duke prishur kështu harmoninë e krijuar. Në referendumin e mbajtur në Britaninë e Madhe u vendos që ky vend të dalë nga Bashkimi Europian (BE). Pas referendumit arsyeja u thotë britanikëve se dalja nga BE, që përbën ekonominë më të fuqishme në botë, nuk ka qenë një vendim i mençur. Pjesa më e madhe e atyre që kishin votuar për dalje janë të moshuarit. Tani, të ndarë në dy tabore të armiqësuara, në shoqërinë britanike kërkohet një referendum tjetër apo një dalje jo e tërësishme nga BE-ja.

Sidoqoftë, ndonjëherë është mirë të bëhet një “demarkim i shoqërisë” që të shihet se kush cilën anë e mbanë kur bëhet fjalë për orientimet strategjike. Edhe në Maqedoni ka ardhur koha të shihet se kush për çfarë vlerash në të vërtetë angazhohet. Edhe ndër shqiptarët poashtu. Të dihet se për çfarë është shumica e për çfarë pakica e shoqërisë. Ose, të shihet se kush është shumica e kush pakica për orientimet strategjike – NATO dhe BE. Kjo jo për të eliminuar mendimin ndryshe të pakicës, por thjesht për të ditur kush për çfarë është në këtë shoqëri.
Është e drejtë e secilit të votojë “për”, “kundër” apo të bojkotojë referendumin e 30-shtatorit, ku do të vuloset jo vetëm Marrëveshja e emrit me Greqinë por e ardhmja e vetë qytetarëve të këtij vendi.

Është e drejtë e partive, intelektualëve dhe faktorëve tjerë publik të rreshtohen, por njëkohësisht edhe përgjegjësi që mbart pasoja.

Para se të rreshtohemi për ose kundër pyetjes së referendumit “A jeni që vendi të bëhet anëtar i NATO-s dhe BE-së duke pranuar marrëveshjen me Greqinë”, duhet të merret parasysh angazhimi i fuqive të mëdha që të arrihet deri te kjo Marrëveshje.

Para dakordimit të Marrëveshjes, diplomatët më të lartë në Uashington, Bruksel, Berlin, Londër dhe Paris për një javë rresht janë koordinuar nëpërmjet telefonit që më në fund zgjidhja të nënshkruhet në Prespë. Kanë bërë dhjetëra telefonata në Shkup e Athinë, janë koordinuar ndërmjet tyre se si mund të shtyjnë palët drejt një kompromisi dhe ta mbyllim këtë burim të problemeve në Maqedoni dhe rajon. Kanë bërë çmos që ta pamundësojnë Rusinë dhe aleatët e saj të shtrijnë ndikimin malinj në këtë pjesë jostabile të Europës. Një investim i madh për rajonin, i cili nuk duhet të dështojë.

Kështu, çdo deklaratë apo përshpëritje kundër kësaj marrëveshjeje, e tërthortë apo e drejtpërdrejtë, do të kuptohet si minim i përpjekjeve të këtyre qendrave të vendosjes. Përpjekjet e tyre për mbylljen e problemit 26-vjeçar të emrit, që mban të izoluar Maqedoninë dhe perspektivën e qytetarëve të saj, janë në kuadër të konkurrencës me ndikimin e Rusisë, e cila ka interes që vendi të mbetet jashtë NATO-s.

Në këtë kontekst, referendumi do të ndajë në dy blloqe forcat politike dhe aktorët e sferës publike: i pari do të rreshtohet me Perëndimin e përbërë nga Amerika dhe Europa, kurse i dyti me Lindjen e udhëhequr nga Rusia. Thënë më drejtpërdrejtë – të gjithë ata që do të vendosin të bojkotojnë referendumin do të rreshtohen në anën e presidentit rus Vladimir Putinit dhe do të ndihmojnë strategjinë e tij në Ballkan.

Vend për kalkulime të politikës ditore në këtë rast nuk ka. Është koha e rreshtimit të madh me ose kundër Amerikës dhe Europës. Është momenti kur çdo parti, politikan, intelektual, biznesmen apo qytetar duhet të tregojë vizion dhe pjekuri, pasi pasojat nuk do të jenë të lehta.

Është një periudhë kur nevojitet të vihen në gjumë interesat e ngushta partiake, të pushojë lufta për pushtet të lihen anësh interesat personale. Pas suksesit të referendumit të 30-shtatorit do të ketë kohë të mjaftueshme për nënkëmbëzat e politikës ditore, për luftë bërrylash, për kurthe politike, për marrje të pushtetit… Atëherë vendi do të jetë i garantuar nga fuqia më e madhe ushtarake (NATO) dhe do të lëvizë drejt bashkimit me fuqinë më të madhe ekonomike (BE). /KDPolitik.com/

Baby Boo