Referendumi në faqet e para të mediave greke


Cikloni “Zorbas” është lajmi i parë, ndërsa referendumi në Maqedoni është lajmi i dytë më i rëndësishëm në mediat greke. Në edicionet e gazetave, të portaleve informative, në emisionet politike të radiove, në lajme, në emisionet informative dhe debateve në televizionet greke, referendumi në Maqedoni, menjëherë pas motit të keq, e monopolizon vëmendjen e opinionit grek.

Korrespondentja e MIA-s nga Athina, lajmëron se një numër i madh i mediave greke kanë dërguar gazetarë në Shkup, të cilët nga e premtja raportojnë për klimën në Maqedoni, për analizat dhe vlerësimet, por edhe për rëndësinë e referendumit. Në televizionet greke ka raportime të drejtpërdrejta nga kryeqyteti i Maqedonisë.

Gazetarët grekë përveç se raportojnë për informacionet kryesore dhe të dhënat në lidhje me referendumin, në lidhje me atë se sa qytetarë kanë të drejtë vote, se kur hapen dhe kur mbyllen qendrat e votimit, se kur do të bëhen të ditura rezultatet e para nga KSHZ-ja dhe ngjashëm, komentojnë se ajo që është më rëndësishme, nuk është nëse shumica do të votojë “pro” ose “kundër”, por se a do të ketë një zgjidhje.

Referendumi dhe rezultatet në Greqi, drejtpërdrejtë, janë të lidhura edhe me skenën politike në vend.

Analizat në Greqi janë rreth skenarëve për mbijetesën e qeverisë greke, se cilat do të ishin hapat e ardhshëm të partnerit të koalicionit Panos Kamenos, i cili është kundër Marrëveshjes së Prespës dhe në muajt e kaluar doli me deklarata të ndryshme, me kërkesë që të votohet me shumicë të madhe parlamentare, e deri te qëndrimi i fundit se ”Grekët e Pavarur” do të tërhiqen nga qeveria. Por, po analizohen edhe hapat e ardhshëm të ”Demokracisë së Re” opozitare e cila nuk heq dorë nga qëndrimi se marrëveshja është e dëmshme për Greqinë. Mediat nuk e përjashtojnë mundësinë, që partia më e madhe opozitare të dorëzojë iniciativë të re për votim të mosbesimit të qeverisë, duke e pasur parasysh se nga mesi i dhjetorit do të kalojnë gjashtë muaj nga iniciativa e fundit me çka rishtazi do të kenë të drejtë të kërkojë votim për mosbesim.

Thuajse në të gjitha faqet e para të edicioneve të gazetave greke, është ndarë hapësirë edhe për referendumin në Maqedoni.

“Katimerini”: “Dalja është çelësi”;

“To vima”: “Po prishet lidhja Cipras – Kamenos” – Stuhi në Athinë nga referendumi – triler në Shkup;

“Proto tema”: “Referendum për dy persona (Zaev-Cipras)” – BE-ja dhe SHBA-ja dhanë gjithçka për “po” – Çfarë nënkupton rezultati;

“Real njuz”: “Skena politike” – Uragani nga Prespa i fshin partitë e vogla;

“Avgi”: “Zë kritik, mundësi historike”- referendumi në IRJM

Mediat greke, përveç skenarëve, i transmetojnë edhe qëndrimet dhe deklaratat e partive opozitare në Greqi./Pacensure

Baby Boo