“Referendum për Marrëveshjen Finale Kosovë-Serbi”


Marrëveshja mes Kosovës dhe Serbisë vazhdon të jetë një temë shumë e diskutuar.

Nëse Kosova dhe Serbia arrijnë të dakordohen për marrëveshje, në finalen e procesit të Dialogut, Kryeparlamentari Kadri Veseli thotë se zgjidhja më e mirë është që qytetarët e Kosovës të jenë ata që do ta thonë fjalën e fundit.

Veseli, në një deklaratë për Express, thotë se për këtë pritet të shkojë në Kuvendin e Kosovës edhe Ligji për Referendum.

“Vendimi final duhet të legjitimohet me vullnetin e lirë të sovranit. Do të duhej të jenë vetë qytetarët e Kosovës që do ta thonë fjalën e fundit për rezultatet e procesit të Dialogut Kosovë-Serbi”, ka thënë ai.

Kryeparlamentari Kadri Veseli ka kohë që fton për arritjen e konsensusit nacional lidhur me Dialogun Kosovë-Serbi, por dy partitë më të mëdha opozitare, LDK dhe VV, vazhdojnë ta refuzojnë atë.

Së fundi, ai ka marrë edhe një nismë për t’i mbledhur në një tryezë krerët e institucioneve, Ekipin Shtetëror për Dialogun, si dhe partitë parlamentare opozitare, për t’u koordinuar lidhur me procesin që synon të çojë në një marrëveshje finale mes Kosovës dhe Serbisë për normalizimin e plotë të marrëdhënieve. Por,LDK dhe VV, po vazhdojnë ta bojkotojnë atë.

Veseli thotë se arritja e konsensusit të plotë është e rëndësishme për Kosovën, por në fund të fundit Dialogu do të vazhdojë edhe pa LDK-në dhe VV-në, sepse Kosova, bashkë me partnerët ndërkombëtarë, SHBA-të dhe BE-në, është e vendosur për ta çuar deri në fund këtë proces të normalizimit të marrëdhënieve mes dy vendeve.

“Vendi në Ekipin Shtetëror për Dialogun do të jetë i hapur për LDK-në dhe VV-në. Ata do të duhej t’i vendosnin interesat shtetërore përpara atyre partiake. Por, ne do të ecim tutje edhe pa ta. Erdhën apo nuk erdhën në Dialog, sidomos LDK, në fund vendimi do të merret nga qytetarët e Kosovës. Pa ta, por me popullin, ne do të marrim vendime”, është shprehur Veseli.

Kryeparlamentari Veseli përsërit se Kosova është e gatshme dhe e vendosur për Dialog me Serbinë, ndërsa shkon në këtë proces me qëllime të qarta – njohjen e shtetit të Kosovës nga Serbia dhe ulësja në OKB. Ndërsa sot pas takimit me partitë në Kuvendin e Kosovës Veseli ka thënë se tërësia territoriale nuk cenohet me dialogun Kosovë -Serbi.

Baby Boo