Reagon Rama për sulmin në spitalin e Gazas: Të provohet autorësia e kësaj goditjeje të tmerrshme në themelet e vetë njerëzimit


Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka reaguar zyrtarisht lidhur me ngjarjen tronditëse të goditjes së spitalit Al-Ahli në Gaza, ku të paktën 500 persona kanë mbetur të vrarë, duke kërkuar jo vetëm një hetim të thelluar, por edhe të provohet autorësia e kësaj goditjeje “të tmerrshme në themelet e vetë njerëzimit”.

Fillimisht, kreu i Qeverisë shqiptare tregon se është thellësisht tronditëse të shohësh pamjet e goditjes në Gaza dhe se sipas ligjeve ndërkombëtare po edhe zakoneve të luftës, të sëmurët e të plagosurit, spitalet, personeli mjekësor dhe objektet e lëvizshme të kujdesit mjekësor nuk preken.

“Nuk ka asnjë justifikim, në asnjë rrethanë, për goditjen e infrastrukturës spitalore, civilëve dhe ekipeve mjekësore”, cilëson ai.

Më tej, Rama komenton edhe mbi pretendimet e palës izraelite, se kjo masakër është kryer nga Xhihadi Islamik Palestinez, duke thënë se kaq nuk mjafton për të ndarë të vërtetën nga pretendimet e palëve ndërluftuese.

Prandaj të gjitha faktet e mundshme duhet të mblidhen dhe të provohet autorësia e kësaj goditjeje të tmerrshme në themelet e vetë njerëzimit”, shton ai.

Është thellësisht tronditëse të shohësh pamjet e goditjes me bombë të spitalit Al-Ahli në Gaza, ku qindra e qindra njerëz u masakruan e humbën jetën.
Sipas ligjeve ndërkombëtare po edhe zakoneve të luftës, të sëmurët e të plagosurit, spitalet, personeli mjekësor dhe objektet e… pic.twitter.com/PFhfqPdclb — Edi Rama (@ediramaal) October 18, 2023
Për më tepër, kryeministri e përshkruan Hamasin si një kancer në trupin e njerëzimit, por kjo nuk mjafton as për t’i mbyllur sytë përballë pamjeve rrëqethëse të gërmadha të spitalit të bombarduar dhe as për t’u mjaftuar me deklaratën shumë tronditëse të kryeministrit të Izraelit.

“Në këtë luftë Shqipëria dhe e gjithë bota demokratike është e përcaktuar në anën e Izraelit të goditur barbarisht nga mizoria e terroristëve të Hamasit!”, pozicionohet qartë qëndrimi shqiptar mbi çështjen.

Megjithatë, bota demokratike duhet të jetë po ashtu garante e të vërtetës për qindra e qindra viktimat e spitalit të bombarduar në Gaza, në fjalët e vetë Ramës.

“Prandaj hetimi i fakteve për nxjerrjen e autorëve të kësaj vrasjeje masive dhe dënimi pa asnjë ekuivok i tyre është përgjegjësi e padiskutueshme e detyrim i pashmangshëm i botës demokratike ndaj mbarë njerëzimit”, përmbyll kryeministri.

Baby Boo