Reagimi në Timjanik, Perks: Rezultat i mosedukimit të mjaftueshëm


Kundërshtimi i banorëve të fshatit Timjanik për ndërtimin e shtëpive të vogla grupore për fëmijët me pengesa, është reagim i edukimit të pamjaftueshëm të këtyre personave me atë se çka nënkupton bashkëjetesa me personat me ngecje në zhvillim. Kështu vlerësoi përfaqësuesi i UNICEF-it, Benxhamin Perks, i cili ishte i pranishëm në takimin e ministres, Milla Carovska, me popullatën lokale.

“Kur ka tranzicion dhe kur në tavolinë ka tema të rënda, atëherë reagimet si ai në Timjanik janë të pritshme. Për ne me rëndësi ishte që të shkojmë atje të kontaktojmë me banorët dhe ta dëgjojmë mendimin e tyre. Është me rëndësi që bashkësitë, siç është Timjanik, të kenë më shumë kontakte me fëmijët me pengesa, që të ketë më tepër qartësi dhe mirëkuptim për ata”,- deklaroi Benxhamin Perks nga UNICEF.
Edhe ministrja e punës dhe politikës sociale, Milla Carovska, ka theksuar nevojën për edukim të popullatës për të pranuar personat me pengesa, por ajo ka thënë se nuk do të heq dorë dhe nëse ka nevojë edhe 100 apo 200 herë do të kthehet në Timjanik për t’i sqaruar popullatës se për çfarë bëhet fjalë. Por, asaj iu desh që dy orë të përballet me kundërshtimin e popullsisë lokale në Timjanik, të cilët theksuan se nuk dëshirojnë që fëmijët e tyre të rriten në afërsi të fëmijëve me pengesa në zhvillim dhe se më me prioritet për ta është ndërtimi i çerdhes.
Përveç ndërtimit të shtëpive të vogla grupore, Ministria e Punës dhe Politikës Sociale do të përqendrohet edhe te familjet kujdestare si një ndër format më të mira për kujdesin e fëmijëve pa prindër apo atyre me pengesa në zhvillim. Brenda dy javësh nga fillimi i fushatës së Ministrisë dhe UNICEF-it, 75 persona kanë shprehur interesim për të marrë fëmijë nën përkujdes. Deri tani 91 persona janë vendosur në të ashtuquajturat shtëpi të vogla grupore, ndërsa një shtëpi e vogël grupore ka kapacitet për t’u kujdesur për shtatë fëmijë.
Baby Boo