Reagimet rreth kornizës, Ivanov: S’kam informacion për kornizën e dakorduar; Milloshoski zbulon “Planin 11-pikësh”; Shekerinska: Jemi transparentë, qytetarët na kuptojnë


Presidenti i Republikës, Gjorge Ivanov, kërkon të informohet nga kryeministri dhe ministri i jashtëm për kornizën e dakorduar për zgjidhjen e kontestit rreth emrit, në të cilën thirret ministri, Nikolla Dimitrov.
“Deri te kabineti i kryetarit nuk është sjellë informatë për kornizën e dakorduar për zgjidhje të mundshme për dallimet rreth emrit, as informatë për dy takimet e fundit të ministrave të jashtëm, të mbajtur në Bruksel dhe Nju Jork”,- thuhet në kumtesën e presidentit, duke shtuar se presidenti nuk është informuar as për pakon e propozuar për emrin “Republika e Maqedonisë së Ilindenit”.
Përderisa presidenti ankohet për mungesë informacioni mbi procesin, ish-ministri i punëve të jashtme, Antonio Milloshoski, tani deputet i VMRO-DPMNE-së, ka zbuluar Planin 11-pikësh, për arritjen e kompromisit dhe zbatimin e tij.
Sipas Milloshovskit, korniza e kompromisit mes Kociasit e Dimitrovit do shndërrohet në marrëveshje mes kryeministrave, Zaev e Cipras, në të cilën do të dakordohet edhe emri i ri, e që do të nënshkruhet në Prespë.
Kjo, sipas tij, do t’i hap rrugë Maqedonisë që në qershor të marrë ftesën për anëtarësim në NATO dhe për fillimin e bisedimeve me BE-në. Sipas Milloshoskit, në tetor do të mbahet referendumi që duhet të tregojë se shumica e qytetarëve mbështetin marrëveshjen për emrin.
Mirëpo, Radmilla Shekerinska, nënkryetare e qeverisë, thotë se bisedimet po zhvillohen në formë transparente me opinionin dhe ashtu si Marrëveshja me Bullgarinë, edhe Marrëveshja me Greqinë pritet të pranohet nga qytetarët e RM-së, pasi vetëm kështu hapet perspektiva euroatlantike e vendit.
“Dy ministrat kanë gjetur kornizën për kompromis, që përfundimisht do t’i kushtojë Maqedonisë më shumë se sa Greqisë. Të merresh me këto çështje duket si vetëvrasje politike. Por, ne kemi dëshmuar, posaçërisht pas marrëveshjes me Bullgarinë, se nëse je i hapur me qytetarët dhe u thua se po e bëjmë këtë për shkak të ardhmërisë sonë, qytetarët e kuptojnë”,- u shpreh zëvendëskryeministrja, Radmilla Shekerinska.
Pas rrethit të fundit të bisedimeve që u zhvillua në Nju Jork dhe Bruksel, pas të cilave ministrat deklaruan se është arritur korniza për zgjidhje të mundshme, pritet që fjalën e fundit ta thonë kryeministrat e dy vendeve përkatëse.
Baby Boo