RASTI “TORTURA”, DËSHMON BOSHKOVSKI, “PËRNDJEKËSIT E MI TANI PO PËRNDJEKEN NGA PPS”


Në Maqedoni është rikthyer sundimi i së drejtës dhe drejtësia më në fund po fiton. Kështu tha ish-ministri i Punëve të Brendshme, Lube Boshkovski duke folur për rastin e ngritur nga PPS, “Tortura”. Ai tha se përndjekësit e tij tani po përndjeken nga Prokuroria Speciale. Boshkovski, i cili sot ishte në cilësinë e dëshmitarit tha se rrëfimi për ngjarjet e vitit 2011 e ka emocionuar shumë, sepse e ka rikthyer në një kohë shumë të errët për të dhe për vendin.

“Besoj se më në fund në Maqedoni është rikthyer shteti i humbur i drejtësisë, se pozicioni dhe thirrjet e mia me vite mbrapa kanë qenë të vërteta. Besoj në gjykatë, besoj që për të gjithë ata që kanë qenë pa të drejtë të gjykuar dhe të dënuar, do të ketë rigjykime sepse e vëreta në fund fiton. Tani situata është më ndryshe sepse ata që më kanë përndrjekur tani janë të përndjekur nga prokuroria për veprat të cilat i kanë bërë”, tha Lube Boshkovski, i dëmtuar në rastin “TORTURA”.

Boshkovski duke dhënë dëshmi në gjykatë tha se më 6 qershor 2011 kishte takuar një person që ai e kishte llogaritur për mik, e që është dëshmitar i mbrojtur në rastin “Fushata”, ndërsa në dalje nga restoranti policia e kanë arrestuar. Ai shpjegoi se pas arrestimit, atë e kanë dërguar në stacion policor ndërsa rrugës i kanë thënë se kjo është me porosi të shefit të tyre, Sasho-s. Siç tha ai, pas një kohe të caktuar e kanë rikthyer në vendin e arrestimit, për ta riarrestuar, por kësaj radhe para kamerave të televizioneve.

“Me vete kisha një qese me para, të cilën as që i kam numëruar e as që i kam shikuar. Sapo u nisa drejt automobilit dikush bërtiti Ndal! Policia. Unë në gjendje shoku e hudha qesen me para dhe u shtanga në vend. Filluan të më kontrollojnë. U mblodhën një numër i madh i policëve. Filluan të bërtasin. Shtrijeni në tokë plehrin. Mi shkelën gjunjët. Njëri nga ata ma kthej kokën në një anë dhe më vendosi revole në faqe dhe më tha: Këtë e ke nga shefi. Leh tash plehër”, Lube Boshkovski, i dëmtuar në rastin “TORTURA”.

Ndryshe, Lube Boshkovski do të jetë edhe dëshmitar i palës mbrojtëse. Seanca e ardhshme është caktuar për më 7 shtator. Në rastin “Tortura” i akuzuar kryesor është ish-drejtori i DSK-së Sasho Mijallkov, ish-njeriu i parë i njësitit “Alfa” Ivica Antevski – Puki si edhe pesë pjesëtarë të grupit për arrestimin e Boshkoskit. Ata akuzohen se një ditë pas zgjedhjeve, përkatësisht më 6 qershor të vitit 2011 me torturë dhe veprime të tjera jonjerëzore dhe degraduese, kanë arrestuar liderin e partisë “Të bashkuar për Maqedoninë” Lube Boshkovskin.

Përgatiti: Bajram Memeti

Baby Boo