Rasti “Monstra”/ Dëshmitari: Një polic na largoi nga vendi e pastaj dëgjuam krisma, ja detaje tjera nga seanca


Një njeri me pushkë automatike dhe me uniformë që i ngjason asaj të policisë ka qenë në Liqenin e Smillkovës pak para se të ndodhë vrasja e pesëfishtë. Sipas asaj që e thonë dëshmitarët që atë natë kishin qenë për peshkim tek liqeni, raporton SHENJA, ai njeri ka folur maqedonisht dhe i ka kërcënuar që të kthehen nga kanë ardhur dhe vetëm pak pasi grupi i peshkatarëve dëshmitarë ishin larguar, kishin dëgjuar krisma rafalli. Dëshmitari kishte vërejtur edhe se njeriu që i kishte ndalur, kishte veshur jelek antiplumb. Dëshmitari Kemal Nesim i tha gjykatës se ishin takuar me djemtë e rinjë para se të vriteshin pasi ata kishin peshkuar diku në afërsi të tyre para se të largoheshin. Ju kishin kërkuar krimba dhe bukë për grepin e peshkimit, ndërsa pak para se të errësohej kishin marrë makinën e tyre të bardhë që nuk ia dinte modelin dhe ishin larguar.  Ende pa e parë njeriun me pushkë automatike, dëshmitarët e kishin parë një makinë ngjyrë të kaltërt të errët në ulëset e të cilit po qëndronte një njeri. Ndërsa më pas, pasi njeriu i kishte kthyer prapa, në tentativën e dytë për të shkuar në shtëpi nga e njejta rrugë, kishte parë një makinë tjetër ngjyrë hiri të tipit karavan, të parkuar dhe me dritat e ndezura, po pa njeri brenda. Gjatë kësaj rruge kishin parë trupat e pajetë të djemve të grumbulluara një një vend.

Kemal Nesim, dëshmitar

“Ndaloni, policia. Ikni se do ju vras na tha. Dhe na shau. Pas atij personi më duket se pashë edhe tre ose katër persona të tjerë. Ata rrinin vetëm. Pastaj sa nisëm ne të ikim me vrap, i dëgjuam krismat. Kishte disa krisma sporadike. Por u dëgjua edhe një rafall. Krismat i lamë pas vetes. Pasi ikëm, qëndruam edhe thuajse dy orë në vendin ku po peshkonim më parë. Më vonë kur vendosëm të ktheheshim, nisëm të vozisim motorin me rimorkio, vërejta se kisha shkelur diçka, kur e shikova ishin njerëz të shtrirë në bark. Nga vendi i atij njeriut që na përzuri deri tek vendi i vrasjes kishte afro 15 metra. Pastaj ne vetëm i kaluam trupat pasi u frikësuam, nuk tentuam ti ndihmojmë”,

Dëshmitari tjetër Ahmed Bekir dha disa deklarata kontradiktore për zhvillimet e vitit 2012 kur ndodhi vrasja e pesëfishtë. Gjatë marrjes në pyetje nga Fatime Fetai, Bekir u rrëzua në tokë dhe menjëherë u thirr ndihma e shpejtë e cila e dërgoi në spital. U njoftua se dëshmitari vuante nga astma.

Ahmed Bekir, dëshmitar

“Rrugës për në shtëpi i pamë 4 persona të shtrirë në bark. Nuk guxuam ti prekim pasi u frikësuam shumë. Nuk kishin shenja jete. I anashkaluam dhe vazhduam rrugën për në shtëpi. Më herët dëgjova të shtëna. Meqë ishte errët, nuk pamë asgjë përreth nëse ka ndonjë njeri. Pasi u frikësuam nga krismat, neve erdhi të na marrë me makinë djali im. Ai njeriu me pushkë automatike nuk e mbaj mend nëse e pamë para ose pasi i pamë trupat. Vetëm na bërtiti dhe na tha kthehuni dhe na shau”

Para se të alivanosej, Bekir nuk ishte i qartë se sa të shtëna i ka dëgjuar, kur i kishte parë djemtë të vdekur dhe kur ishte takuar më njeriun me pushkë automatike i cili tha se i kishte sharë dhe u kishte thënë të kthehen nga kanë ardhur. Bekir tha se ata vetë ia kishin treguar atij njeriu emrin pa i pyetur edhe pse prokurorja insistonte të tregojë se a i ka pyetur dikush për emrin duke aluduar se mos ka qenë ndonjë zyrtar të cilit janë të obliguar tia tregojnë emrin. Dëshmitari Bekir tha se kishte qenë gjithë ditën në peshkim në Smillkovë por nuk ka parë asgjë të dyshimtë, ndonjë organizim të mëparshëm për vrasjen ose persona të panjohur. I akuzuari Fejzi Aziri e pyeti dëshmitarin Kemal Nesim se kur i ka ardhur policia në shtëpia. Se si e kanë kuptuar se ata kanë qenë në vendin e ngjarjes për ti thirrur si dëshmitarë nëse ata nuk e kanë paraqitur rastin askund. Por gjykata e anashkaloi këtë pyetje shkaku se dëshmitari u tha se nuk mund të dijë se si policia ka arritur ti gjejë. Por u ngritën dyshime edhe nëse i kanë tortuar dhe marrë deklaratë nën presion.

Ferikan Iljazi Arifi /SHENJA/

Baby Boo