Rasti “Kumanova”, u harrua hetimi ndërkombëtar

Hetimi ndërkombëtar për rastin “Lagjja e Trimave – Kumanova” ende as nuk ka filluar, kjo për shkak se ende lënda nuk ka kaluar në shkallë të dytë, gjegjësisht në Gjykatën e Apelit. Ministri i Punëve të Brendshme, Oliver Spasovski, në pyetjen e Portalbit gjatë vizitës së tij në Tetovë, tha se do të informohet opinioni me hapat e mëtutjeshëm me këtë proces, por nuk dha ndonjë përgjigje konkrete në lidhje me atë se kur, ndërkaq avokatët e të dënuarve, Mefail Arsllani dhe Naser Raufi, thonë se ata nuk kanë kurrfarë informate në lidhje me këtë çështje, pasi që deri më tani askush për asgjë si ka informuar, shkruan Portalb.mk

Baby Boo

“Për këtë rast ne kemi paralajmëruar se duhet të punohet komplet që të dihen të gjitha detajet dhe çfarë do lloj hapi që do të bëjmë do ta informojmë opinionin sepse nuk duam të themi spekulime të këtij lloji sepse çojnë në mosbesim ndërmjet institucioneve dhe qytetarëve kështu që kur do të marrim hapa konkret të cilat do të mund të deklarohen, do t’ju njoftojmë. Po, rasti i Kumanovës është në programin qeveritar që të mund të zbardhen dhe të sqarohen rastet. Ne nuk producojmë se si do të jetë rezultati për cilin do rast, ne duam të prezantohen në mënyrë përkatëse dhe të ketë rezultate të besueshme”, tha Spasovski duke iu përgjigjur pyetjes gazetareske”, tha Spasovski.

Megjithatë, avokatët për Portalb.mk, thonë ende askush nuk i ka ftuar për ta diskutuar çështjen në fjalë, për të kërkuar/dhënë materiale, apo thjeshtë për t’i njoftuar në lidhje me procesin në fjalë.

“Asnjëfarë informate nuk ka, të gjitha kanë mbetur ato muhabete thashetheme, më shumë jemi informuar nga deklaratat e kryeministrit që janë për hetim ndërkombëtar, ndërkaq konkretisht diçka për t’u vepruar në atë aspekt, jo. Sipas mendimit tim, janë duke pritur të mbarojë vendimi i Gjykatës së Apelit, që të konfirmohet se mund të kthehet në shqyrtim të serishëm, pasi që e dimë të gjithë se nuk është vërtetuar gjendja faktike se çfarë konkretisht ka ndodhur. Në qoftë se është dashur të gjykohen ata persona vetëm pse kanë qenë në Kumanovë, nuk ka qenë ajo problem – pra askush s’e ka mohuar atë, por në qoftë se organizatorët i kërkojnë vetëm nëpërmjet atyre personave ai është gabim trashanik”, thotë avokati Arsllani.

“S’kemi asnjë informatë për hetimin ndërkombëtarë, ja presim. Ne kemi bërë kërkesë që të formohen ekipet e Prokurorisë së Krimit të Organizuar, sipas ligjit për ndihmë juridike ndërkombëtare, por ende nuk ka asgjë. Pra deri më tani s’ka pasur asnjë aktivitet, as nuk na kanë kontaktuar. Sigurisht që kjo lëndë do të kthehet dhe do të shqyrtohet, ashtu ka kaluar pa mbrojtjen, pra si të them pa dëshmitë tona”, thotë avokati Raufi.

Komisioni ende s’ka filluar me punë

Nga ana tjetër ende nuk ka filluar me punë Komisioni Anketues për rastin “Lagjja e Trimave”, gjegjësisht ende nuk ka mbajtur asnjë seancë apo mbledhje pune.

Ky komision është formuar pasi që vazhdimisht është folur në opinion, por edhe nga vetë të dënuarit se ka dyshime për inskenim të këtij rasti nga ish pushteti i Nikolla Gruevskit. Për të njëjtat arsye është kërkuar edhe hetim ndërkombëtar nga faktori i brendshëm dhe i jashtëm, megjithatë ende nuk ka rezultate nga puna e tyre.

Komision anketues është formuar edhe për rastin e vogëlushit Almir Aliu nga Kumanova. Vite më parë u formua Komision Anketues për rastin “Sopoti”, për përgjimet e paligjshme, falsifikimin e letërnjoftimeve, për të “Hënën e Zezë” që ndodhi më 24 dhjetor të vitit 2012 dhe për zgjidhjen e problemit me njësitë zgjedhore në Maqedoni, por ato dështuan pa sjellë ndonjë rekomandim për rastet për të cilat u formuan.

Hetimi ndërkombëtar për Kumanovën është kërkuar nga Ministria e Punëve të Brendshme, kërkuar nga Bashkimi Demokratik për Integrim, Aleanca për Shqiptarët, presidenti dhe kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi dhe Ramush Haradinaj, ministri i Jashtëm i Shqipërisë, Ditmir Bushati, kryetari i Këshillit për Mbrojtjen e Lirive dhe të Drejtave të Njeriut, në Prishtinë, Behxhet Shala, kryeministri i Shqipërisë Edi Rama, presidenti slloven Borut Pahor, eurodeputetët, zyra e të Drejtave të Njeriut në OKB, Kosovë dhe Shqipëri. Kërkesa erdhi pas vendimit të 2 nëntorit të vitit 2017 për rastin “Kumanova” me të cilin grupi që luftoi me forcat e sigurisë së Maqedonisë më 9 dhe 10 maj të vitit 2015 në Lagjen e Trimave të Kumanovës, u dënua me 7 shekuj e gjysmë burg dhe 7 dënime me burgim të përjetshëm.

“Lagjja e Trimave” është një nga rastet më të mëdha të historisë moderne të Maqedonisë që është kualifikuar nga Gjykata Themelore e Maqedonisë si terrorizëm, ku si pasojë e së njëjtës kanë humbur jetën 8 policë dhe 37 të tjerë janë plagosur, ndërkaq nga pala tjetër që kanë luftuar me forcat policore janë vrarë 10 persona. Ndonëse sot mbushen plot tre vjet nga ngjarjet e armatosura, edhe pse ka vendim gjyqësor me të cilën janë dënuar grupi i “Kumanovës”, ende nuk është e pastër e vërteta – nuk dihen porositësit.

Restorant Lumare