Rasti i Velesit, zbulohen detaje të reja


Alsat zbulon indikacione të reja mbi periudhën e vdekjes së anëtarëve të familjes Manoillov nga Velesi, të cilët pasi u gjetën të vdekur rezultuan pozitiv në Kovid-19. Konstatimet e dala nga raporti i mjekësisë ligjore se Vanço dhe Katerina Manoillova kanë vdekur në mesin e muajit mars, mund të përgënjeshtrohen nga faturat e energjisë elektrike. Në muajin dhjetor familja Manoillova ka harxhuar energji elektrike prej rreth 3.300 denarë, faturë kjo e cila sipas dëshmive të siguruara nga Alsat rezulton të jetë e paguar më 17 janar 2020. Në muajin janar kjo familje ka harxhuar energji elektrike prej 4.000 denarëve, ndërsa hetimi i Alsat dëshmon se kjo faturë nuk është paguar. Për muajin shkurt, mars dhe prill në emër të familjes Manoillov është faturuar vetëm taksa prej 170-280 denarëve, por as këto fatura nuk janë paguar. Mos pagesa e faturës për muajin janar dhe tre fatura vetëm me vlerën e taksës ngritin dyshimet se dy anëtarët e kësaj familje kanë ndërruar jetë në fund të muajit janar, përkatësisht Katerina Manoillova ka vdekur në fund të muajit janar, ndërsa biri i saj pak ditë më pas.

Dyshimet i forcon edhe Qendra për Punë Sociale në Veles. Në pyetjet e televizionit Alsat mbi bazën e denoncimit të fqinjëve se dy anëtarët e familjes Manoillov nuk kanë marr pensionin dhe asistencën sociale për 3 muaj, nga kjo qendër japin një detaj të rëndësishëm.

Vanço Manoilov ka qenë shfrytëzues i asistencës sociale dhe ndihmës minimale të garantuar. Mamaja e tij kishte pension. Në fund të muajit janar, Vanço Manoilov ishte në Qendrën për Punë Sociale në Veles. Aty ka kërkuar të dijë kur do t’i paguhet asistenca sociale dhe ndihma minimale për muajin dhjetor. E njëjta ndihmë është paguar edhe për muajin janar dhe shkurt – thonë nga Ministria e Punës dhe Politikës Sociale.

Se pensionet dhe asistencat sociale janë paguar por nuk ka pasur kush t’i tërheq, e dëshmuan edhe fqinjët gjatë një bashkëbisedimi që kishte Alsat ditën kur raportoi ekskluzivisht për rastin në Veles. Sipas tyre, paratë e ardhura në adresë të kësaj familje janë kthyer në Qendrën për Punë Sociale. Alsat kërkoi nga Prokuroria Publike të tregojë nëse në bashkëpunim me operatorët telefonik ka siguruar edhe tabulatet e telefonatave. Prokuroria njofton se një urdhëresë e tillë është bërë dhe se pritet kompletimi i procedurës.

Në Prokurori deri tani nuk ka arritur as raporti nga hetimi policor dhe as raporti mbi obduksionin e viktimave. Është dhënë urdhëresë tek operatorët. Kur të merren informacionet e nevojshme, do të vendoset për procedimin e mëtejmë – njoftojnë nga Prokuroria Publike.

Më 10 prill Alsat ekskluzivisht zbuloi se në trupin e viktimës Katerina Manoillova testi i Kovid-19 ka rezultuar pozitiv. Në paraqitjen e fundit, ministri i Shëndetësisë, Venko Filipçe theksoi se për familjen Manoillov akoma nuk ka përfunduar raporti mbi hetimin e veçantë. Mbi dyshimet e ngritura në bazë ta raportit të parë të mjekësisë ligjore, pretendohet se 79 vjeçarja nga Velesi të ketë vdekur nga mesi deri në fund të muajit janar, ndërsa biri i saj disa ditë më vonë. Kjo ngriti dyshimet nëse virusi Korona ka qenë prezent në vend para festave të fund vitit apo në fillim të vitit. Çështja u diskutua edhe në Komisionin për Sëmundje Ngjitëse nga ku konstatuan se pas pandemisë duhet shqyrtuar analizat e 37.000 qytetarëve të prekur nga gripi sezonal me qëllim që të vërtetohet nëse virusi ka qenë prezent paralelisht me gripin i cili për dallim nga viti kaluar këtë vit ka pasur për 80 për qind më shumë të infektuar.

Baby Boo