Raporti/ Antidroga italiane: Shqetësim, droga nga Shqipëria


Raporti i antidrogës italiane për vitin 2019 ka dalë në përfundimin se Shqipëria vazhdon të mbetet pika kryesore e trafikut të kanabisit drejt Italisë. Grupet shqiptare vazhdojnë të luajnë një rol të rëndësishëm në furnizimin, magazinimin dhe tregtimin e lëndëve narkotike në mes tyre dhe kokaina e importuar nga Amerika e Jugut, që fshihet në kontejnerë për t’u hedhur më pas në tregun evropian nëpërmjet atij që quhet Korridori i Ballkanit. Më herët raporti i DASH, por dhe ai i SHISH kanë evidentuar aktivitetin e shtuar të grupeve në Shqipëri në fushën e trafikut të narkotikëve.

Shqipëria vazhdon të mbetet pika kryesore e trafikut të marijuanës drejt Italisë, ndërsa grupet kriminale shqiptare ndër më aktivet, në trafikun e drogave të të gjitha llojeve. Një raport i Shërbimit të Antidrogës Italiane vëren se viti 2019 ka shënuar rekordin e sekuestrimeve të drogës në Itali me një rritje prej 127% dhe në shumicën e operacioneve ka qenë dominues aktiviteti kriminal i grupeve nga Shqipëria.

“Afërsia gjeografike mes Shqipërisë e Italisë ka lehtësuar bashkëpunimin e grupeve kriminale pulieze e shqiptare në furnizimin, magazinimin e tregtimin e lëndëve narkotike”, shkruan raporti.

Ky s’është raporti i vetëm që i adresohet për këtë problem Shqipërisë. Raporti i Departamentit të Shtetit, tashmë raporti i antidrogës italiane, por edhe raporti i SHISH, evidentojnë se ka një aktivitet të shtuar të trafikut të drogës në vend. Kjo ka bërë që ministri i Brendshëm Sandër Lleshaj, të dalë në çdo qytet të vendit për të shtuar presionin ndaj policisë lokale për këtë qëllim.

Dhe jo vetëm kaq por ish-ministri i Brendshëm Saimir Tahiri në një dalje për mediat para gjykatës kur tha se “Unë jam ministri i kampion i luftës kundër drogës, por në ndryshim me këta që janë sot unë zgjodha ta bëj të qartë situatën”. “Detyrën e kam bërë më mirë se ata që ishin dhe këta që janë”, u shpreh Tahiri, duke lënë të kuptohet se situata është dhe më serioze se në kohën kur ai drejtonte ministrinë e rendit.

Viti 2019
Sipas raportit në vitin 2019, janë kryer disa operacione që kanë çuar në sekuestrimin e mjeteve lundruese të fuqishme dhe sasive të mëdha të marijuanës nga Shqipëria. Në prill të vitit 2019, autoritetet italiane të Leçes, sekuestrojnë një gomone me 1.5 ton marijuanë dhe arrestuan dy skafistë shqiptarë.

Në operacionin “Sabbia 2018/6” ekzekutuar nga antidroga e Firences u sekuestruan 437 kg marijuanë e trafikuar me gomone nga Shqipëria drejt Puglias dhe e shpërndarë më pas në territorin e Firences e Romës.

“Grupet kriminale shqiptare, historikisht në emigrim kanë transportuar skema kriminale të adaptuara më parë në vendin e tyre të origjinës duke ngritur vit pas viti nivelin e një kriminaliteti sa më profesional. Grupet kriminale shqiptare bazohen në lidhje gjaku, që i rezistojnë bashkëpunimit me drejtësinë e bashkëpunojnë me shqiptarë të tjerë që jetojnë në rajonin e Ballkanit të lidhur nga gjuha e përbashkët e nga elementi etnik”, shkruan ndër të tjera raporti.

Grupet kriminale shqiptare kanë luajtur një rol protagonist dhe në trafikun e heroinës drejt Italisë gjatë 2019. Operacioni i koduar “The Transporter 2018” i ekzekutuar nga antidroga e Barit çoi në sekuestrimin e 120 kg drogë të tipit heroinë e marijuanë e në arrestimin e 3 trafikantëve shqiptarë. Trafikimi i marijuanës, thuhet në raportin italian kryhet drejtpërdrejt nga Shqipëria përmes detit apo indirekt nga Greqia.

Marijuana e hashashi vjen nga Shqipëria dhe përmes rrugës ballkanike, Mal i Zi, Bosnjë-Hercegovinë, Kroaci e Slloveni. Raporti vëren se në dy vitet e fundit ka pasur një reduktim të trafikut, por kjo ka ardhur si pasojë e rënies së interesit të trafikantëve në shitjen e marijuanës. Sipas antidrogës italianë, tashmë trafikantët shqiptarë kanë më shumë interes që ta këmbejnë marijuanën me heroinë në Turqi. Raporti kujton operacionet e bashkëpunimit për vëzhgimin nga ajri të plantacioneve me marijuanë në Shqipëri nga autoritetet e Guardia di Finanza.

Por të dhënat mbeten të përditësuara deri më 2018 të vëna në dispozicion nga autoritetet policore shqiptare që informojnë se gjatë 10 muajve të parë të 2018 kanë sekuestruar 35.985 bimë kanabis kundrejt 208.308 rrënjë të sekuestruar në të njëjtën periudhë kohore të një viti më parë.

Korridori i Ballkanit
Por duket se Shqipëria nuk përfshihet vetëm në trafikun e marijuanës, por dhe të drogave të forta siç është kokaina. Raporti shprehet se në tregun evropian një rëndësi të madhe ka marrë dhe ai që quhet Korridori i Ballkanit, i cili vitet e fundit është bërë epiqendra e trafikut të kokainës.

Sipas antidrogës italiane, droga vjen nga Amerika e jugut dhe më pas dërgohet në vendet evropiane nga shqiptarët, serbët, malazezët dhe bullgarët. Raporti thotë se aktiviteti ndër vite, ka krijuar mundësinë e lidhjeve me kartelet e drogës së Amerikës së jugut. Metodat e transportit janë kryesisht me kontejnerë, të cilat arrijnë në portet e vendeve të zonës së Ballkanit, por dhe në detin Egje në brigjet e Turqisë dhe Greqisë, apo në detin e zi në portet e Bullgarisë.

Për trafikun e kokainës grupet kriminale shqiptare bashkëpunojnë me mafien kalabreze Ndrangheta, për trafikimin e heroinës bashkëpunojnë me organizatat kriminale me veprim në rajonin e Puglias e Kampanjas dhe për trafikimin e marijuanës e derivateve të kanabisit me grupet kriminale puglieze, siciliane e laciale (në territorin e provincës së Romës).

Evropa
Sipas Antidrogës italiane grupet kriminale shqiptare janë gjithnjë e më përfshirës në trafikun e kokainës përmes porteve në Holandë e Belgjikë. Trafikimi i kokainës bëhet me automjete të modifikuara e me bashkëpunimin e elementëve kriminalë vendës. Operacioni i vitit 2019 i koduar “Buslijnen” e i ekzekutuar nga Guardia di Finanza e Firences çoi në shkatërrimin e një grupi trafikantësh shqiptarë që trafikonin drogë nga Holanda e Shqipëria drejt Italisë e që çoi në sekuestrimin e 18 kg kokainë e 500 kg marijuanë, si dhe në arrestimin në flagrancë të 7 personave.

180 kg kokainë e trafikuar nga Holanda u sekuestrua më 2019 në Itali gjatë operacionit të koduar “AQUILA NERA” i cili vuri në pranga 9 trafikantë shqiptarë të akuzuar dhe për trafik heroine e armësh, 61 kg të tjera kokainë të trafikuar nga shqiptarë janë kapur më 2019 dhe gjatë operacionit të koduar “Grande Raçordo Criminale 31”.

Bashkë me këtë sasi kokaine u sekuestruan dhe 3700 kg marijuanë që mbërrinte në Romë përmes trafikantëve shqiptarë e italianë. Gjatë vitit 2019 janë 349 shtetas shqiptarë të vënë nën masë ndalimi nga autoritetet italiane për trafik marijuane e hashashi e 6 shqiptarë të tjerë me akuzën e trafikut të kokainës. Gjithashtu, më 2019 në Itali janë arrestuar 23 minorenë shqiptarë me akuzën e trafikut të drogës.

Baby Boo