Rami Mislimi: “ Matematika e fitores së Teuta Arifit!”


Shkruan Rami Mislimi

Një ushtri e fortë me komandat Abaz Gjukën i qëndron pas. Dy mandate të plota dhe një i tretë i besuar sërish nga ushtria dhe komandanti i cili nuk njeh humbje nga 2002. Ajo njihet si një grua e fortë e politikës që di të përballet me shumë sfida dhe vetë ajo e di se asnjëherë nuk është pak të bësh për qytetin që e administron. Ka gjithnjë më shumë, e më shumë për të bërë, por Teuta Arifi nuk është vetëm në këtë rrugëtim politik. E para ajo vjen nga një parti e fortë ku njerëzit për tu kandiduar kalojnë nëpër filtrat partiakë dhe në këtë pikë asgjë nuk ka qenë e gabuar deri tani, sepse ata që kanë marrë mbështetjen e komandantit të fitoreve të një pas njëshme kanë dalë fitues.

E pse pra Teuta Arifi pritet të jetë fituese edhe në këto zgjedhje?

Nëse i referohemi numrave të zgjedhjeve parlamentare të vitit 2020 ku BDI doli fituese me një diferencë të madhe ndaj partive tjera jep një shans të fuqishme që BDI do të triumfojë edhe kësaj radhe. Në zgjedhjet e fundit BDI -ja e Ali Ahmetit në Tetovë mori 11909 vota, ASH-ja me 8412, LSDM-BESA me 7417, VMRO me 5483 dhe PDSH-ja me 5091

Po të krahasojmë edhe zgjedhjet e fundit lokale Teuta Arifi bashkë me LSDM-në ishte e para në listë në raundin e parë ku mori 13265 vota, ku më pas u radhit Bilall Kasami me 8767 vota mos harrojmë ishte një Lëvizje BESA e bashkuar jo e përçarë, i treti ishte kandidati I VMRO-së Goran Menjallovski me 6459 vota më pas Adnan Neziri i ASH-së me 4874 vota dhe në fund Bardhyl Dauti me 4568 vota.

Në raundin e dytë sërish Teuta Arifi fitoi zgjedhjet me 18136 vota përballë Bilall Kasamit që në atë kohë mori mbështetje nga ASH-ja dhe VMRO-ja dhe doli me 17113 vota.

Zgjedhjet përpos që janë politikë janë edhe matematikë, nëse i referohemi matematikës dhe numrave i bie që matematika e Teuta Arifit del fituese.

Nëse nisemi nga zgjedhjet parlamentare dhe lokale të fundit që mund të lëviz lartë- poshtë një përqindje e vogël del që në raundin e dytë shkon Teuta Arifi nga BDI dhe Vullnet Murseli nga ASH-VMRO.

Teuta Arifi e BDI-së sipas matematikës mund të lëvizë nga 9 mijë deri në 12 mijë vota në raundin e parë ndërsa Vullnet Murseli i ASH-së dhe VMRO-së nga 10 mijë deri 13 mijë vota maksimum. Bilall Kasami sipas matematikës së fundit zgjedhore nga 4 mijë deri në 6 mijë maksimum që i bie se nuk mund të hy në raundin e dytë, nëse i referohemi matematikës së fundit të zgjedhjeve parlamentare dhe lokale. Nga ana tjetër Sadi Bexheti i PDSH-së mund të ketë ngritje për 1 mijë vota në raundin e parë sipas matematikës së zgjedhjeve të fundit parlamentare.

Më pas vjen kandidati I LSDM-së që mund të arrijë nga 3 mijë deri në 4 mijë vota maksimum.

Sipas matematikës zgjedhore në raundin e dytë hynë Teuta Arifi dhe Vullnet Murseli që afërisht mund të jenë baras me vota ose një diferencë të vogël nga raundi i parë.

Tani nëse i referohemi koalicioneve atëherë i bie që Teuta Arifin ta mbështes Lëvizja BESA e Bilall Kasamit dhe LSDM-ja e Zoran Zaevit me 7417 vota dhe PDSH-ja e Menduh Thaçit me 5091 ndërsa Vullnet Murseli të ngelet vetëm me VMRO-në edhe atë ASH me 8412 dhe VMRO me 5483.

Sipas matematikës së koalicioneve dhe zgjedhjeve parlamentare dhe lokale Teuta Arifi mund të grumbullojë mbi 24 mijë vota, ndërsa Vullnet Murseli të ketë një ngritje për një përqindje të vogël prej 2-3% që mund të arrijë maksimumin deri në 15 mijë vota.

Kjo bazohet në numrat e fundit të zgjedhjeve parlamentare dhe koalicioneve që janë deri tani, nuk dihet nëse mund të ndryshojë ndonjë koalicion por gjasat janë minimale ose thuaj e pamundur.

Andaj Teuta Arifi, si politikane dhe si kryetare e ardhshme nuk përbën lajm, por lajmi është te një grua që vepron në terrenin e vështirë të politikës në përkrahje të madhe të Ali Ahmetit dhe fatit të opozitës së dobët dhe politikave të mbrapshta të ASH-së.

Përpos matematikës fituese, Tetova nuk është zi siç flasin disa zëra kritikues. Në Tetovë janë investuar shumë projekte kapitale, rrugë, kanalizime, shkolla moderne që sot ata shihen dhe shfrytëzohen nga tetovarët. Nuk duhet harruar se gjëja më e madhe që Teuta Arifi bëri për Tetovën është se tashmë ky qytet nuk mbytet nga ndotja dhe Jugohromi nuk është më që ta bëjë qytetin tonë të parin në listën e ndotjes. Në qeverisjen e saj u zgjidh problemi me ujin këto janë fakte, sepse çdo tetovar pinë ujë e shumë pak e paguajnë. Por një qeverisje nuk është gjithmonë perfekte dhe mandati i saj i tretë është një udhëtim drejt projekteve që ajo i ka në programin e saj të një qeverisjeje në rrethana krejtësisht tjera.

Në një moment kur vendi duket më i stabilizuar politikisht, fushëveprimi politik dhe relacionet midis pushteteve janë më lehtësuese për të realizuar premtime që janë jetësore për qytetarët e Tetovës që kanë nevojë për më shumë ndryshime tjera dhe Teuta Arifi do ta bëjë, por me një staf tjetër duke ndryshuar shumicën e udhëheqësve dhe drejtorëve të komunës dhe suksesin do ta ketë të garantuar.

Gjithë ky tekst bazohet në numrat dhe përllogaritjet e fundit të zgjedhjeve, sepse euforia e ndryshimit nuk është akoma tek qytetarët shqiptarë në Maqedoninë e Veriut, ata i besojnë ende BDI-së dhe Ali Ahmetit.

Baby Boo