Rama: “Njohja e Kosovës nga Serbia është kapitulli i fundit i shpërbërjes së Jugosllavisë”


Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka thënë se njohja e Kosovës si shtet sovran e i pavarur nga Serbia është kapitulli i fundit i historisë plot dhimbje të shpërbërjes së Jugosllavisë.
Ai në një intervistë për televizionin spanjoll RTE deklaroi se në një proces paqeje pritet të ketë edhe tensione ndonjëherë, siç ishte rasti në pikat kufitare në Jarinjë e Bërnjak.

“Tensionet janë pjesë e atij procesi. Nuk mund të presim që një proces paqeje të përparojë qetësisht dhe pa tensione. Këtu lajmi i mirë është që tensionet lindin po edhe treten pasi të dy palët sidoqoftë komunikojnë dhe tentojnë të gjejnë zgjidhjet e nevojshme për njerëzit. Pra nuk është më si në të shkuarën. Ka një diferencë të madhe pasi tashmë kemi bashkëpunim rajonal, me takime e mbledhje të shumta, vajtje-ardhje, samite të çdo lloji. Sigurisht që Kosova është problemi i fundit, ende i hapur dhe i pazgjidhur nga shpërbërja e Jugosllavisë e pa dyshim, njohja e Kosovës si shtet sovran e i pavarur nga Serbia është kapitulli i fundit i historisë plot dhimbje të shpërbërjes së Jugosllavisë”, u shpreh Rama.

Kryeministri i Shqipërisë tutje theksoi se mosnjohja e Spanjës për pavarësinë e Kosovës ka të bëjë me problemet e veta të brendshme dhe jo pse ka ndonjë me problem me shqiptarët apo vetë Kosovën.

“Është e vërtetë, por e dimë fare mirë se pozicioni i Spanjës nuk ka fare të bëjë me asnjë problem që ka lidhje me shqiptarët apo me vetë Kosovën, por ka të bëjë me historinë e me problemet e veta të brendshme. Dakord, por duhet të jemi në fakt shumë të qartë këtu, pasi nuk ka asnjë lloj krahasimi të mundshëm ndërmjet problemeve të brendshme të Spanjës, lidhur me lëvizjet të pavarura apo separatiste dhe ndarjes së Kosovës nga Serbia”, potencoi Rama.

Baby Boo