Rama e Kovaçevski insistojnë ta mbajnë gjallë Ballkanin e Hapur


“Ballkani i Hapur na ka dhënë shumë mundësi të reja për të parë përtej të djeshmes, për të kuptuar si mund ta kapërcejmë të sotmen dhe njëkohësisht për të projektuar një të ardhme, e cila do të rrisë në maksimum aftësitë e vendeve tona që të përfitojnë nga një hapësirë shumë më e madhe se hapësira jonë e përveçme gjeografike”, ka thënë kryeministri i Shqipërisë.

Pavarësisht dinamizmit të Procesit të Berlinit, për kryeministrin e Shqipërisë, Edi Rama, Ballkani i Hapur do të vazhdojë si nismë rajonale. Pas mbledhjes së përbashkët të dy qeverive, asaj të Maqedonisë së Veriut e Shqipërisë që u mbajt në Shkup, Rama ka deklaruar të hënën se Ballkani i Hapur është një njësi jetësimi i Procesit të Berlinit. Ai njoftoi se janë duke punuar për përgatitjen e një samiti tjetër të Ballkanit të Hapur në Shqipëri.

“Ballkani i Hapur na ka dhënë shumë mundësi të reja për të parë përtej së djeshmes, për të kuptuar si mund ta kapërcejmë të sotmen dhe njëkohësisht për të projektuar një të ardhme e cila do të rrisë në maksimum aftësitë e vendeve tona që të përfitojnë nga një hapësirë shumë më e madhe se hapësira jonë e përveçme gjeografike”, ka thënë Rama. “Kemi parë rezultate të mira të marrëveshjeve të bëra në kuadër të Ballkanit të Hapur ashtu sikundër kemi vazhduar të jemi dhe do të vazhdojmë të jemi mbështetës të palëkundur edhe të Procesit të Berlinit, duke pasur aftësinë t’i shikojmë të dyja bashkë këto nisma si pjesë të njëra-tjetrës dhe në asnjë mënyrë si përjashtuese të njëra-tjetrës”.

Kreu i qeverisë shqiptare ka thënë se vendet e Ballkanit janë shumë të vegjla për “t’i qëndruar me kurriz njëra-tjetrës”. Tek e ka përmendur këtë, ka thënë se bashkë mund të bëjnë shumë gjëra për të mirën e të gjitha vendeve. E kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Dimitar Kovaçevski, ka theksuar se Ballkani i Hapur nuk duhet ta frikësojë askënd, pasi nuk është në kundërshtim me Procesin e Berlinit.

“Më vjen mirë që ajo që e kemi firmosur në Berlin në kuadër të Procesi të Berlinit, tanimë e kemi firmosur në iniciativën Ballkani i Hapur. Ballkani i Hapur nuk duhet askënd ta frikësojë. Është ideja origjinale, jo vetëm e politikanëve, por edhe e bizneseve të Maqedonisë së Veriut, Shqipërisë dhe Serbisë”, ka thënë Kovaçevski. “Ballkani i Hapur dhe Procesi i Berlinit nuk janë në kundërshtim mes veti, por janë procese kompatabile”.

Megjithëkëtë, samiti i radhës në kuadër të Procesit të Berlinit do të mbahet në Tiranë, një prej tri kryeqendrave që e mbështet Ballkanin e Hapur, nismë në të cilën kanë refuzuar të përfshihen Kosova, Mali i Zi dhe Bosnja e Hercegovina.

Rama ka njoftuar se samiti i radhës i radhës i Procesit të Berlinit, do të mbahet në kryeqendrën e Shqipërisë më 6 dhjetor. Ai theksoi se aty pritet të diskutohen të gjitha problemet dhe sfidat të cilat tha se janë të ngjashme me ato të vendeve të BE-së.

“Ne do të jemi aty së bashku, me të gjitha dëshirat, problemet dhe sfidat tona, të cilat janë gjithmonë e më të njëjta me ato të vendeve të tjera të Bashkimit Evropian dhe është koha, besoj unë, për të projektuar të ardhmen përtej luftës, duke kërkuar nga njëra anë, së bashku të gjitha vendet tona nga Bashkimi Europian që të na përfshijë gjithnjë e më shumë në të gjithë përpjekjen e organizuar për t’i rezistuar, qoftë goditjes së madhe të çmimit të energjisë elektrike, qoftë dhe inflacionit të luftës. Nga ana tjetër, për të ndërtuar një plan të përbashkët, një plan i cili të na japë mundësinë të shohim përtej kësaj faze të vështirë, të zymtë, por njëkohësisht jo të pambarimtë”, ka thënë Rama. “Nuk kemi nevojë të presim fundin e luftës për të projektuar të ardhmen përtej saj. Në këtë aspekt, do të thosha se Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut kanë bërë njëfarë përgatitje, duke u përpjekur të projektohen në të ardhmen jo thjesht në mënyrë individuale, si shtete më vete, por edhe në mënyrë kolektive si vende të të njëjtës zonë gjeografike dhe gjeopolitike, qoftë në aspektin e Ballkanit Perëndimor si rajoni ynë, qoftë në aspektin e Bashkimit Europian si destinacioni ynë”.

Në mbledhjen e përbashkët të qeverive të Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut u nënshkruan 21 marrëveshje dhe memorandume bashkëpunimi.

Baby Boo