Rama: “Ballkani i Hapur” na dha mundësi të reja, s’e përjashton “Procesin e Berlinit”


Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, në fjalimin e tij në mbledhjen e qeverisë së Shqipërisë dhe asaj të Maqedonisë së Veriut, e cila po mbahet në Shkup, ka folur edhe për iniciativën “Ballkani i Hapur”.

“Besoj që Ballkani i hapur na ka dhënë shumë mundësi të reja për të parë përtej të djeshmes, për të kuptuar se si ta kapërcejmë të sotmen dhe njëkohësisht, për të projektuar një të ardhme që të rris në maksimum aftësitë e vendeve tona që të përfitojnë nga një hapësirë shumë më e madhe se sa hapësira jonë e përvetshme gjeografike”, ka theksuar Rama.

Ai ka thënë se në kuadër të kësaj iniciative ka pasur marrëveshje të mira. “Kemi parë marrëveshje të mira në kuadër të iniciativës së ‘Ballkanit të Hapur’ dhe si kundër që vazhdojmë të jemi mbështetës të ‘Procesit të Berlinit’, i shohim të dyja bashkë këto nisma si pjesë të njëra-tjetrës dhe në asnjë mënyrë si përjashtuese të njëra-tjetrës”, është shprehur Rama.

Ai ka paralajmëruar mbajtjen e samitit të radhës të BE-së me vendet e Ballkanit Perëndimorë. Ai ka thënë se samiti do të mbahet më 6 dhjetor në Tiranë.

“Ne takohemi në këtë mbledhje të dy qeverive, në aspektin e interesave tona për tu bërë pjesë e familjes së madhe të BE-së. Sot të dyja vendet tona kanë hapur procesin e negociatave dhe kanë hedhur një hap shumë të madh përpara. Më 6 dhjetor në Tiranë do të mbahet samiti i BE-së me Ballkanin Perëndimorë dhe ne do të jemi aty me të gjitha problemet dhe sfidat tona, të cilat janë të ngjashme me ato të vendeve të BE-së”, ka theksuar Rama.

Ai ka folur edhe për hapjen e negociatave të të dyja shteteve për anëtarësim në BE. “Më në fund e kemi kapërcyer hendekun e madh dhe torturues mes të qenit gati për të hapur bisedimet për anëtarësim dhe refuzimet e vazhdueshme për hapjen e negociatave. Sot të dyja vendet kanë hapur negociatat”, është shprehur Rama.

Baby Boo