​Qytetarët të ndarë rreth vendosjes së masave antiCOVID


Ditëve të fundit në vendin tonë janë shtuar rastet e reja dhe ato aktive me koronavirus. Në 24 orët e fundit nga 267 testime, 52 qytetarë kanë rezultuar pozitive, ndërsa në total numri i rasteve aktive është 250. Ministria e Shëndetësisë u ka bërë thirrje qytetarëve që nuk kanë marrë ende asnjë dozë të vaksinës kundërCOVID-19 të vaksinohen, ndërsa qytetarët që i kanë marrë një apo dy doza të vaksinës ta marrin edhe dozën e dytë dhe atë të tretë përforcuese.

Nga ana e tyre, qytetarët shprehen të ndarë sa i përket vendosjes së masave antiCOVID-19. Një pjesë e tyre mbështesin vendosjen e masave, por ka edhe prej atyre që shprehen kundër. Fanol Sadiku thotë se me rritjen e rasteve të reja COVID-19, Ministria e Shëndetësisë duhet ndërmarrë masa, ndërsa ka apeluar të gjithë që të vaksinohen si mënyra më e mirë për t’u mbrojtur nga infeksioni i rrezikshëm.

“Patjetër se po (duhet të ketë masa), duhet luftohet kjo deri në fund derisa të largohet COVID-19. Duhet të vazhdohet me masa dhe vaksinim. Unë i kam marrë tri (vaksina), kush nuk i ka marrë, duhet m’i marrë. Është luftë kundër COVID-it”, tha ai. Edhe qytetari tjetër Riza Syla thotë se pajtohet me ndërmarrjen e masave të reja kundërCOVID-19 për shkak të rritjes së numrit të rasteve.

“Ata munden me marrë masa, veç kjo është flamë e përgjithshme”, tha ai. Ndërsa Haxhi Blakaj thotë se masat e reja eventuale nuk duhet të jenë në nivelin që kanë qenë në të kaluarën kur ishte vendosur ora policore.

“Duhet të kenë kujdes të gjithë, të mbrohemi të gjithë prej kësaj sëmundje… Duhen masa, por jo edhe aq të rrepta sikurse kanë qenë përpara”, tha ai. Ndërkohë që ka edhe prej atyre qytetarëve, të cilat e konsiderojnë të panevojshme vendosjen e masave të reja antiCOVID-19, pavarësisht shtimit të rasteve të reja. Orland Beselica është njëri prej tyre, i cili nuk e sheh të nevojshëm që Ministria e Shëndetësisë të merr masa.

“Normal s’duhet të ketë pasi që nuk ka nevojë, s’ka ma pse… Veç nëse ka ndonjë kallaballëk, ndonjë vend që ka shumë njerëz po. Ndoshta në vende të mbyllura, mirëpo në vende të hapura s’ka nevojë…Vaksinat duhet t’i marrin ata që nuk i kanë marrë. Është mirë t’i kenë të paktën dy (doza vaksine)”, tha ai. Edhe Zahir Bekteshi shprehet kundër rishikimit të masave të reja dhe bartjes së maskave.

“Në qoftë se rritet numri tepër i madh ka nevojë, por në qoftë se jo s’ka nevojë. Mirëpo, momentalisht nuk ka nevojë, janë rastet shumë të ulëta. Unë nuk kisha preferuar të merren masa…Duhet të vaksinohen të gjithë, prej moshës 4-vjeçare e tutje, të gjithë duhet vaksinuar”, tha ai.

Ndryshe, prej fillimit të vaksinimit në të gjitha qytetet e Kosovës janë dhënë 1.830.405 doza të vaksinës. Deri më sot 823.674 qytetarë janë vaksinuar me dozën e dytë. Deri më sot janë dhënë 103.145 doza përforcuese dhe doza të treta të vaksinës kundër COVID-19, derisa numri i përgjithshëm i të shëruarve është 225.384.

Baby Boo