Qytetarët e Kosovës mund të pajisen edhe me pasaportën e Shqipërisë


Shqiptarët e Kosovës apo të trojeve të tjera shqiptare janë të lirë të aplikojnë për shtetësi shqiptare.Projektligji i ri i miratuar nga Qeveria shqiptare dhe që pret miratimin nga Parlamenti i këtij vendi në sesionin e ardhshëm parlamentar në vjeshtë heq kufizimet juridike për shqiptarët e Kosovës dhe pjesën tjetër që jeton jashtë kufijve të Shqipërisë, për shkak të emigrimit të hershëm apo të vonshëm, me kushtin që personat të kenë ruajtur lidhje gjuhësore, kulturore dhe të traditës me Shqipërinë.

Kështu parashikon Projektligji i hartuar nga Qeveria shqiptare, i cili ndryshon kushtet, rregullat dhe procedurat për fitimin, rifitimin dhe heqjen dorë nga shtetësia shqiptare, shkruan sot Koha Ditore.

Përpos të tjerave, Projektligji i propozuar ka zgjeruar mënyrat e fitimit të shtetësisë, si dhe ka lehtësuar kriteret, duke parashikuar fitimin e shtetësisë me origjinë, duke ia dhënë mundësinë dhe asaj pjese të popullit shqiptar që jeton jashtë kufijve, përfshirë ata që kanë emigruar në kohët e hershme, por edhe ata që kanë emigruar pas viteve ’90 dhe që kanë humbur shtetësinë, por që dëshirojnë të kenë një lidhje të qëndrueshme juridike me shtetin shqiptar.

Aktualisht, praktika për dhënien e shtetësisë shqiptare është në dorë të presidentit të Republikës Shqipërisë. Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ka kërkuar nga homologu i tij nga Shqipëria, Ilir Meta, që t’iu mundësohet qytetarëve të Kosovës, që përmes procedurave të përshpejtuara të aplikojnë për shtetësi të Shqipërisë, duke pasur parasysh që heqja e regjimit të vizave për Kosovën është e pasigurt.

Baby Boo