Qibritashët e politikës dhe pushteti


Çdo subjekt juridik duhet të ketë të definuar atë që quhet “vizion” dhe “mision”, që do të thotë të ketë të qartë se çfarë ka për qëllim të arrijë dhe cilat mjete apo mënyra do t’i për të arritur cakun e paramenduar.

Subjekte juridike janë edhe partitë politike. Projektimi i të ardhmes së një shoqërie demokratike është pikërisht në duart e tyre. Vizionet e tyre shpesh paraqiten si ideale që shkojnë përtej ligjërimit të zakonshëm politik. Pra, shkojnë përtej ideologjive, të cilat mund të interpretohen edhe si besime të vullnetshme në gënjeshtra.

Se partitë politike në Maqedoni e kanë ngatërruar domethënien e nocioneve “mision” dhe “vizion”, po dëshmohet çdo ditë me menaxhimin e shtetit nga ana e qeverisë së re të përbërë nga LSDM dhe BDI. Këto parti erdhën (apo mbetën) në pushtet me zotimin se do të bëjnë vendin të mirë për të jetuar, me perspektivë për të rinjtë, të zhvilluar dhe të sigurt. Ky pra ishte vizioni i tyre dhe këtu nuk ka asgjë të keqe. Ky vizion do të duhej të jetësohet nëpërmjet pjesëmarrjes në një pushtet demokratik, transparent dhe efektiv, i cili do të jetë i aftë të zbatojë të gjitha reformat e nevojshme. Në fakt, ky është misioni i tyre.

StictyBanner mes postimeve mobil
Ajo që tani del në sipërfaqe te partitë politike, veçanërisht në kampin e shqiptarëve etnikë, dëshmon se vizionin (idealin) e kanë thjeshtëzuar në pjesëmarrje në pushtet me çdo kusht, kurse misionin (mjetet për të arritur te caku) e kanë zbritur në nivelin e zgjedhjeve dhe të shkathtësisë prej qibritashi të aktorëve politik.

Ka disa muaj që shqiptarët në Maqedoni nuk kanë as parti në pushtet e as në opozitë. Të gjitha janë në pritje të rikonstruktimit të qeverisë. Gjatë kësaj periudhe të një gare se cila parti do të afrohet më shumë te kryeministri Zoran Zaev, në fakt faktorët politikë u zhveshën nga vizioni apo ideali. Një parti pa ideal është e njëjtë me një kompani ndërmjetësimi në shitblerjen e pronës së patundshme. Të tilla edhe perceptohen nga qytetarët, që kanë varur shpresat te ato.

U harrua vizioni për barazinë e plotë në shtet nëpërmjet misionit të “ridefinimit” të BESË-s apo të “parlamentit dydhomësh” të Aleancës Shqiptare (kur u bë pjesë e qeverisë para një viti). U la anash edhe koalicioni “afatgjatë” që kishin lidhur. BDI, ndërkohë, duket se ka humbur kapacitetin për një reformë të njëmendtë, kështu që kuadro të vjetra e të pasuksesshme i paraqet si prurje të reja. Që nga paraqitja e kësaj partie kemi rënie-ngritje të funksionarëve të njëjtë, të cilët në radhë të parë kanë interesin personal. Kurse LSDM-ja, me qasjen shpërfillëse ndaj votuesve shqiptarë që e shfaq me politikat kadrovike, duket se i vë pikën këtij rrëfimi.

Kështu të demaskuara, me politikat makiaveliste të stilit “qëllimi arsyeton mjetet”, partitë që votohen nga shqiptarët po delegjitimohen vullnetarisht. Pa vizion të qartë, ato demotivojnë gjithnjë e më shumë të rinjtë, të cilët nuk kanë kohë të presin instalimin e sistemit të vlerave, të meritokracisë apo të një sistemi i cili nuk njeh librezat partiake.

Baby Boo