Qeveria teknike në Maqedoni, deri në normalizimin e gjendjes me coronavirusin


Qeveria teknike e formuar për organizimin e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare të 12 prillit, do të vazhdojë të funksionojë deri në normalizimin e gjendjes me coronavirusin.

Në bazë të Ligjit për qeverinë, 100 ditë para çdo cikli zgjedhor formohet qeveria teknike, me përfshirjen edhe të opozitës, me dy ministra dhe tre zëvendësministra, me qëllim që zgjedhjet të organizohen dhe mbahen në mënyrë demokratike.

Për shkak të paraqitjes së coronavirusit edhe në Maqedoninë e Veriut, partitë vendosën që të anulojnë zgjedhjet, por jo edhe të prishin qeverinë teknike edhe pse vazhdimi i punës së saj në situatën e krijuar nuk është paraparë me ligj.

Kryeministri Oliver Spasovski, i cili në këtë post erdhi pas largimit të Zoran Zaevit, pasi ashtu parashihet me ligj, thotë se për momentin preokupim i tij është shëndeti i qytetarëve, e që sipas tij duhet të jetë preokupim edhe i të gjitha partive tjera politike.

“Të gjithë që janë pjesë e këtij formati qeveritar duhet të jenë maksimalisht të përgjegjshëm me popullin dhe shtetin. Nuk janë momente për politikë, nuk janë momente për sensacion apo përfitime. Janë momente për njerëz të përgjegjshëm dhe të sinqertë të cilët para se gjithash mendojnë interesin qytetar. Do t’i përmbahemi shëndetit të qytetarëve dhe ekonomisë me qëllim që sa më shpejtë ta kalojmë këtë të keqe”, ka theksuar kryeministri Oliver Spasovski.

Partitë tjera politike, OBRM-PDUKM-ja opozitare, BDI-ja, Aleanca për Shqiptarë, Lëvizja Besa, janë pajtuar për shtyrjen e zgjedhjeve, por pa saktësuar ndonjë datë për mbajtjen e tyre. Kjo, sipas tyre do të ndodhë menjëherë pas përballjes me virusin korona.

Partitë, në veçanti ato opozitare kanë tërhequr vërejtjen që qeveria të mos keqpërdor për pikë politike gjendjen e krijuar dhe autorizimet që i jep asaj gjendja e jashtëzakonshme.

“Në këtë periudhë ne po shohim se si partia në pushtet më tepër është e angazhuar për përfitime në baza ditore. Sa më shumë që ata bëjnë propagandë të zhveshur, aq më shumë e humbin kontrollin në teren dhe rrezikojnë jetën e njeriut“.

“Nëse dikush nuk ka asnjë plan përballje me krizën është Zoran Zaevi i cili interesohet vetëm për kthimin antikushtetues të Kuvendit për të kaluar ligjin për drogat narkotike dhe ligjet e tjera që janë në interes të biznesit të tij. Ata duhet të pranojnë një gjë, se janë të paaftë”, ka deklaruar zëdhënësi i OBRM-PDUKM-së, Naum Stoilkovski.

Kryetari i Kuvendit të shpërndarë, Talat Xhaferi, në një prononcim për televizionin 24 ka thënë se partitë duhet të mendojnë për mbajtjen e zgjedhjeve edhe në situata të këtilla të jashtëzakonshme. Ai thotë se për momentin nuk ka kushte, por nëse gjendja vazhdon të jetë e tillë atëherë duhet të mendohet edhe për zgjedhjet.

“Ne duhet të mendojmë edhe për mundësinë e organizimit të zgjedhjeve në kushte të këtilla të jashtëzakonshme që të sigurojmë kontinuitet të gjërave. Kjo është temë për të cilën duhet të mendojnë edhe ekspertët, por ekspertiza të mos bëhet në Facebook apo rrjete sociale, por të organizohet një forum edhe elektronik dhe të shqyrtohen mundësinë. Institucionet, në veçanti qeveria ka mundësinë si dhe mbështetjen e plotë që të bëjnë vlerësime adekuate të dinamikës së asaj që mund të ndodhë”, ka deklaruar Xhaferi.

Në rast të zgjatjes së gjendjes së jashtëzakonshme edhe për një muaj dhe mungesës së stabilitetit, atëherë nuk përjashtohet mundësia që zgjedhjet të mbahen në afatin e rregullt në vjeshtë.

Baby Boo