Qeveria teknike, deri në përfundimin e krizës


Qeveria do të vazhdojë funksionimin me formatin teknik edhe gjatë gjendjes së jashtëzakonshme dhe deri në përfundimin e betejës me virusin Korona. Kryeministri teknik, Oliver Spasovski thotë se institucionet e udhëhequra nga shumica dhe opozita duhet ta kenë prioritet shëndetin e qytetarëve. Sipas tij, formati i ekzekutivit teknik nuk përbën pengesë për asnjë vendimmarrje.

“Mendoj vetëm për shëndetin e qytetarëve dhe masave që duhet marrim për t’u përballuar me këtë situatë. Të gjithë që janë pjesë e këtij formati qeveritar duhet të jenë maksimalisht të përgjegjshëm me qëllim ballafaqimin me këtë situatë, marrjen e vendimeve dhe flijimin. Bëhet fjalë për qytetarët, popullin dhe shtetin”-tha Oliver Spasovski, kryeministër teknik.

Vazhdimi i Qeverisë teknike edhe pas 100 ditëve nuk paraqet precedent juridik. Sipas Spasovskit liderët politik janë marr vesh që në luftën kundër virusit interesat politike-ditore të lihen anash.

“Nuk janë momente për politikë, nuk janë momente për sensacion apo përfitime. Janë momente për njerëz të përgjegjshëm dhe të sinqertë të cilët para se gjithash mendojnë interesin qytetar. Do t’i përmbahemi shëndetit të qytetarëve dhe ekonomisë me qëllim që sa më shpejtë ta kalojmë këtë të keqe”-pohoi Oliver Spasovski, kryeministër teknik.

Në takimin e fundit të liderëve politik me Presidentin Steov Pendarovski ku u fol për anulimin e datës së zgjedhjeve të parakohshme parlamentare për shkak të pandemisë nga virusi Korona, kryetari i LSDM-së, Zoran Zaev u shpreh se për subjektin e tij nuk paraqet problem vazhdimi i Qeverisë teknike dhe miratimi i masave për të luftuar virusin bashkë me anëtarë qeveritar nga radhët e opozitës. Një konsensus të tillë e përshëndeti edhe Presidenti Pendarovski./Alsat

Baby Boo