Qeveria përballë shumë kërcënimeve për greva


Brenda një periudhe shumë të shkurtër kohore, disa institucione kyçe në vend do të mund të mbesin të paralizuara. Kjo pasi sindikatat e punëtorëve të judikaturës, minatorët e Trepçës, por edhe mjekët po paralajmërojnë greva.
E gjithë kjo është shfaqur sidomos pas rritjes së pagave nga ana e kryeministrit Haradinaj për anëtarët e kabinetit qeverisës.

Kjo ka bërë që Sindikata e Punëtorëve të Judikaturës të kërkojnë rritje tëp agave prej 100%, shkruan lajmi.net.

Madje një gjë e tillë pritet të ndodhë qysh gjatë javës së ardhshme.

Kryetari i kësaj Sindikate, Asllan Rusinovci kishte thënë ditë më parë se ata kërkojnë rritje tëp agave, karshi rritjes së fundit për gjyqtarët e prokurorët.

Këtyre të fundit paga iu rrit automatikisht pas rritjes së kryeministrit e ministrave.

Rusinovci kishte paralajmëruar paralizim të punës, nëse qeveria nuk i merr parasysh kërkesat e tyre.

Një sektor tjetër shumë me rëndësi që kanë kërcënuar me greva dhe kolaps janë mjekët.

Sindikata e Shëndetësisë kishte kërkuar ditë më parë nga qeveria që Ligji për Pagat të procedohet brenda muajit qershor.

Kryetari i FSSHK-së, Blerim Syla kishte thënë për lajmi.net ditë më parë se greva pritet të aktivizohet nga momenti në moment.

“Ne kemi mbledhur një protest të pezulluar nga këshilli drejtues, e cila çdo moment mund të aktivizohet, andaj menjëherë do të mblidhemi dhe do të marrim vendimin e duhur.Projektligji për pagat i ofron punëtorit shëndetësor të ketë pozitë të merituar”, kishte thënë Syla.

Eskalim të situatës kishin paralajmëruar edhe minatorët. Ata kanë kritika të ashpra për Ligjin e Trepçës që ditë më parë është dërguar në Kuvend.

Kryetari i Sindikatës së Minatorëve të Trepçës, Shyqyri Sadiku për lajmi.net kishte theksuar se nëse kërkesat e tyre nuk zbatohen, atëherë do të protestojnë edhe nëpër rrugë.

“Nëse nuk zbatohen nuk hijnë në statut, situata do të eskalojë kjo është kërkesë e minatorëve. Që mundet ose grevë e përgjithshme ose protestë massive në grevë me dalë. Nëse stopohet ky statut atëherë duhet me prit që të kthehet në pikën zero, dhe ta bëjmë një statut të mirëfilltë që duhet me qenë edhe ne pjesë e hartimit të statutit”, kishte thënë Sadiku.

Kujtojmë që me Ligjin e ri për Pagat nuk ishte pajtuar as Sindikata e Bashkuar për Arsim e Kulturë.

Sindikatë kjo që gjatë këtij viti disa herë kishte organizuar greva për shkak të Projektligjit të mësimdhënësve të viteve 90-ta. /Lajmi.net

Baby Boo