Qeveria ende nuk ka ueb-faqe funksionale në gjuhën shqipe

Qeveria e Maqedonisë ende nuk ka ueb-faqefunksionale në gjuhën shqipe edhe pse paraprakisht kanë premtuar se për dy muaj e njëjta do të jetë gati. Tani për tani, janë vendosur kategoritë në versionin shqip të faqes, megjithatë shumicë e përmbajtjeve janë në gjuhë maqedonase, shkruan Portalb.mk.

Baby Boo

Në versionin e ueb-faqes në shqip, nuk janë të përkthyera arkivi dhe biografitë e kryeministrit dhe ministrave. Nga ana tjetër, edhe kumtesat që janë publikuar në versionin e faqes në maqedonisht nuk janë publikuar të gjitha edhe në shqip. Në gjuhën shqipe është i publikuar programi i qeverisë “2017-2020”, por jo edhe programi për punën e qeverisë.

Nga qeveria e Maqedonisë thonë se po punohet në atë drejtim, megjithatë nuk precizojnë ndonjë afat konkret se kur pritet që të mbarojë, përcjell Fakte.

“Po punohet në atë, e dini se koncepti “një shoqëri” është njëra nga themelet e qeverisë. Në këtë moment, nuk mund të themi datë të saktë, por e njëjta do të realizohet në një të ardhme të afërt”, thotë zëdhënësi i Qeverisë, Mile Boshnjakovski për Portalb.mk.

Gjendja është thuajse se e njëjtë edhe me versionin e ueb-faqes në gjuhën angleze, në të cilën, për dallim nga ai në gjuhën shqipe, biografitë e kryeministrit dhe disa ministrave janë edhe në gjuhën angleze.

Për dallim nga Qeveria, Kuvendi i Republikës së Maqedonisë, ka ueb-faqe funksionale në 4 gjuhë, maqedonisht, shqip, anglisht dhe frëngjisht. Ashtu siç mund të shihet, ueb-faqja e Kuvendit është tërësisht funksionale, përfshirë këtu arkivin, por edhe kumtesat, të cilat publikohen në kohë reale në katër gjuhë.

Te ministritë çështja është e përzier, nga 15 ministritë (përfshirë edhe zv/kryeministrat të cilat kanë ueb-faqe të tyre), 9 prej tyre, ueb-faqet i kanë në tre gjuhë – maqedonisht, shqip, anglisht, 4 i kanë vetëm në maqedonisht dhe anglisht, tre i kanë vetëm në maqedonisht, ndërkaq dy i kanë vetëm në maqedonisht dhe shqip.