Qeveria e Kosovës vendos reciprocitet me Serbinë për letërnjoftim


Qeveria në mbledhjen e fundit ka marrë vendim që të aplikojë reciprocitet ndaj Serbisë për letërnjoftim. Sipas vendimit, qytetarët serb që hyjnë në Kosovë do të pajisen me një fletë-deklarim që përkohësisht e zëvendëson përdorimin e dokumenteve zyrtare të identifikimit. Fletë-deklarimi do të krijojë bazë për qarkullim në territorin e Republikës së Kosovës dhe për shfrytëzim brenda institucioneve shtetërore.

“Miratimin e kabinetit qeveritar e mori edhe vendimi sipas të cilit çdo person që paraqitet për kalim të kufirit shtetëror me dokument të identifikimit personal të lëshuar nga autoritetet e Serbisë, të pajiset në pikë-kalimet kufitare me një fletë-deklarim që përkohësisht e zëvendëson përdorimin e dokumentit të tillë. Fletë-deklarimi do të krijojë bazë për qarkullim në territorin e Republikës së Kosovës dhe për shfrytëzim brenda institucioneve shtetërore”, thuhet në vendimin e Qeverisë.

Po ashtu, vendim u mor që banorëve, kryesisht në veri të vendit që kanë targa të lëshuara nga Serbia, por në emër të qyteteve të Kosovës, t’ua japë edhe një shans, siç është thënë të fundit, për kthim në targa RKS.

Pas dështimit të arritjes së një marrveshjeje me palën serbe lidhur me targat, përkundër disa takimeve në Bruksel, Qeveria e Kosovës kishte njoftuar se ka bërë gati një plan të cilin do ta votoj ditëve në vijim, me anë të së cilit po tenton ta zgjidhë çështjen e targave. Detajet ekzekutivi akoma nuk i ka bërë të ditura, mirëpo kanë theksuar se pas dështimit për një marrëveshje në Bruksel, janë duke ndërmarrë këtë veprim të njëanshëm. /Telegrafi/

Baby Boo