QEVERIA E HUMB NJË VOTË, LABINOT TAHIRI DREJT VETËVENDOSJES


Qeveria e Kosovës shumë shpejt do ta ketë një votë më pak në Kuvendin e Kosovës. Aleancën Kosova e Re, e cila bën pjesë në koalicionin qeverisës të vendit, gjatë ditëve të ardhshme do ta braktisë një deputet i saj.

Pas Korab Sejdiut, partinë e udhëhequr nga Behgjet Pacolli do ta lërë edhe Labinot Tahiri, i njohur më shumë në publik si Labi.

Tahiri pritet të kalojë në opozitë, në radhët e Lëvizjes Vetëvendosje, që udhëhiqet nga Albin Kurti.

Është vetë Tahiri që e ka konfirmuar një gjë të tillë, në një bisedë me Gazetën Express. Ai ka thënë s’e ende s’e ka bërë hapin përfundimtar, por që kjo pritet të ndodhë “shumë shpejt”.

“Jam duke diskutuar me miq, dhe e kuptoj që këshilltarët e rinj janë shumë të mençur. Konsultohem edhe me njerëz të historisë, që kanë njohuri për Kosovën dhe për kombin”, është shprehur Tahiri për Express.

Ai ka thënë se me Vetëvendosjen tash për tash është në negociata. Tahiri ka treguar se AKR’në ka vendosur ta lërë, për shkak të shumë pakënaqësive me të, për të kaluar në VV, me të cilën, siç ka thënë ai, e lidh aspekti kombëtar.

“Jam në negociata, duke diskutuar me disa miq prej VV’së”, ka treguar ai.

“Çështja është që emri i Albinit s’përmendet askund për korrupsion, dhe unë jam person i pakorruptuar, dhe nuk dua ta kem një imazh të tillë në të ardhmen”, ka thënë Tahiri për Express.

“Çdo person që jam munduar ta mbroj në aspektin politik, e kam bërë në aspektin kombëtar… Duke u bazuar te Ramushi, unë e njoh vetëm në aspektin kombëtar, por këto gjëra që i bën, nesër i dalin që ka gabuar, unë më nuk e njoh”, është shprehur ai.

Tahiri ka thënë se në AKR nuk po çmohet, dhe po injorohet. “Jam dëshpëruar shpesh”, ka treguar ai.

“Rreth partisë time… janë disa persona që marrin vendime pa pasur kompetenca, ndërsa Behgjeti (Pacolli) i ka udhëtimet e veta, nuk merret me deputetët që e kanë mbrojtur deri dje…”, është shprehur Tahiri.

“Njerëzit që mendojnë të më neglizhojnë, të më injorojnë, janë shumë të vegjël. Për mua vetëm kombi dhe Zoti më i madh që ekzistojnë”, ka thënë ai.

“Nuk dua ta dëmtoj partinë. Problemi është që kur iu duhet, të qesin në rend të parë, kur s’ju duhesh, të qesin në rend të dytë”, është shprehur Tahiri.

Ai ka thënë se nuk po e gjen më veten në AKR, ndërsa beson se në Vetëvendosje do të përshtatet shumë mirë.

“Unë jam modest, i thjesht, i jap llogari çdokujt. Qytetarëve kurrë s’ju kam ikë. Jam duke këqyrë ta gjej vendin ku duhet”, ka theksuar Labi.

“Unë jam vetëm për ata njerëz që po heqin, për ata që kanë pare dhe janë pasuruar nuk kam ndjenja për ta”, ka thënë ai. “Dua ta kem një histori të pastër. Fëmijët dua të jenë të kënaqur me mua”, ka shtuar Tahiri.

“Në VV, janë njerëz që i njoh, i kam miq. Njerëzit më kanë thënë që e kam vendin aty”, ka thënë Tahiri për Express.

“Ndoshta kam bërë gabim me demarkacionin, që s’përputhet me VV’në, por atë e kam bërë për 80 për qind të qytetarëve”, është shprehur ai.

Tahiri ka thënë se gjithashtu s’ka mundur të dalë kundër qëndrimit të Shteteve të Bashkuara për atë çështje.

“S’mund ta kundërshtoj Amerikën”, ka theksuar ai.

Baby Boo