Qeveria dhe KSHZ diskriminuan personat me aftësi të kufizuara


Komiteti i Helsinkit kumtoi se Gjykata Themelore Civile në Shkup ka konstatuar se Qeveria dhe Komisioni Shtetëror i Zgjedhjeve kanë kryer diskriminim të drejtpërdrejtë ndaj personave me aftësi të kufizuara në realizimin e të drejtës së tyre të votës.

“Gjykata ka konstatuar se diskriminimi i drejtpërdrejtë është kryer duke mos marrë, pra duke mos ndërmarrë veprime për përshtatjen e infrastrukturës dhe hapësirës në dhe në një pjesë të qendrave të votimit dhe ka shkelur parimin e përshtatjes së duhur.

Në këtë mënyrë, të pandehurit pamundësuan realizimin e të drejtës së votës për personat me aftësi të kufizuara, duke penguar kështu pjesëmarrjen aktive të personave me aftësi të kufizuara në jetën politike të shtetit, njofton Komiteti i Helsinkit.

Gjykata, siç thuhet, ka obliguar Qeverinë dhe KSHZ-në, deri në shpalljen e zgjedhjeve të ardhshme, në vendvotimet ku kjo nuk ka qenë e mundur deri më tani, të sigurojnë: qasje, rrugë të rrafshët, vendparkime të shënuara siç duhet me ngjyra me kontrast të lartë, vendosje tabelash dhe numrash në një vend të dukshëm në një format më të madh me kontrast të lartë ose sinjalizim zanor në qendrat e votimit; qasje në sallën e votimit duke vendosur parmakë përgjatë shkallëve dhe mureve, duke instaluar rampa hyrëse, hyrje më të gjera, një ashensor të aksesueshëm ose platforma të niveluara dhe me shkallë; qasja në dhomën e votimit, ndriçimi i barabartë i saj, rishpërndarja e mobiljeve për shkak të mundësisë më të madhe të lëvizjes; vendosjen e ekraneve të votimit të përshtatura siç duhet dhe vendosjen e kutisë së votimit në një lartësi të përshtatshme për personat me aftësi të kufizuara fizike.

Gjithashtu, Gjykata Themelore Civile në Shkup ka obliguar Qeverinë dhe KSHZ-në, në një format të qasshëm, të publikojnë në media dispozitivin e aktgjykimit, me të cilin konstatohet se ata kanë kryer diskriminim të drejtpërdrejtë ndaj personave me aftësi të kufizuara gjatë ushtrimit të së drejtës së tyre për të votuar dhe pjesëmarrja aktive në jetën politike, brenda 15 ditëve nga përfundimi i vendimit. Gjykata Themelore Civile e ka marrë këtë aktgjykim pasi Komiteti i Helsinkit për të Drejtat e Njeriut, përmes avokates Pavlina Zefiq, ka paraqitur padi për mbrojtje nga diskriminimi në interes të publikut (actio popularis) më 1 shkurt 2021. Procedura është realizuar në kuadër të projektit “Mbështetje për Maqedoninë e Veriut në avancimin e sundimit të ligjit dhe të drejtave të njeriut”, të cilin Komiteti i Helsinkit për të Drejtat e Njeriut e ka zbatuar në vitin 2020 me mbështetjen financiare të Misionit të OSBE-së në Shkup.

Baby Boo