Qethja e dhenve të fshatit Veshallë


Dje, më 15 korrik 2018, në vendin e quajtur ,,Mërzejm” të rajonit të bjeshkës së ,,Lugjit të madh” të Veshallës, u bë ceremoniali tradicional i qethjes së dhenve, traditë kjo shumë e hershme për blegtorinë e kësaj ane. Blegtori Bajram Jakupi sot i kishte ftuar shumë qethtarë, miq e dashamirë që ditën e qethjes së 300 dhenve të tij, ta bëjnë me të begatshme. Derisa mjeshtrit i mprehnin gërshërët për t’ia filluar punës, të pranishmit tjerë i shijonin bukuritë e këtij rajoni pitoresk mes ahishtesh, dëllinjash, mes lulesh e qërshikëzash që kishin filluar të piqen. Puna filloi me dashurinë më të madhe për këtë zanat, që krahas zvogëlimit të numrit të dhenve, vjen duke u zvogëluar gjithashtu. Më të rinjtë e mblidhnin leshin në formë bashke, ua sillnin delet qethtarëve dhe i shërbenin me ujin e ftohtë të ,,Kroit të Mërzejmit” ose me harxhavellin e trazuar nga kosi cilësor e i freskët i dhenve. Derisa qethtarët garonin në njëfarë mënyre, duke dashur që t’ia kalojnë njëri-tjetrit, ne, të tjerët ( sehirxhinjtë), komentonim për punën që bënin ato.

Karakteristikë e ceremonialit të qethjes së dhenve, është edhe dreka speciale që përgatitet për këtë rast. Në sofrën e madhe, tipike malësorçe , u shtrua ushqimi i gatuar enkas për këtë rast. Ashtu si gjithmonë, e para erdhi ,, Merendja” (flija), e shoqëruar nga kosi i mrekullueshëm, pastaj një lloj piteje që gatuhet më djathë të lëngshëm dhe me miell të kollomojt ( miell misri), e që si duket, është specialitet i rrallë dhe i njohur për banorët e Bozovcës e Veshallës. Gjithsesi pa mishin e pjekur të qingjit , dreka e qethtarëve, nuk mund të llodaritet si e kompletuar. Në një atmosferë plot muhabet, për ngjarje të ndryshme që lidheshin me qethjen e dhenve, duke i përmendur edhe mjeshtrit e mëdhenj qethtarë, mbaroi edhe kjo pjesë e ceremonialit, ndësa i zoti i stanit , fermeri Bajram Jakupi me vëllezërit , djalin dhe nipat, duke qëndruar në këmbë, na shërbenin me tërë zemër, ashtu siç është tradita shqiptare. Pas një pushimi për rreth dy orë, vazhdoi puna sepse qethtarët kishin edhe shumë dhen të paqethura

Dikur dhentë qetheshin dy here në vit. Qethja e parë behej në qërshor, ndërsa e dyta në fillim të shtatorit. Leshi qethjes së parë ishte më cilësor sepse ishte më i gjatë, ndërsa i ai i dyti nuk ishte i cilësisë së leshit të gjatë. Ishte traditë që para qethjes së dytë, dhentë të laheshin në ndonjë liqe ose lum, për shkak të larjes së leshit. Larja e dhenve nuk praktikohej në qethjen e parë sepse ato në këtë periudhë kohore janë më të dobëta dhe mund ta pakësojnë edhe tamblin, ndërsa për qethjen e dytë, ato janë më të fuqishme dhe nuk milen.

Mjeshtrit e qethjes e njohin mirë zanatin e vet dhe janë të kujdesshëm që gjatë qethjes së deles mos t’ia presin edhe lëkurën, por nëse bashkë me leshin pritet edhe një copë lëkurë, ilaçi është gaca e bluajtur që vihet në plagën e hapur. Gërshërët e mjeshtërve të dikurshëm profesionalë ishin më të gjata, me majë shumë më të mprehtë dhe me dy krahët që mund të ndahem nga njëri tjetri, kur nuk jan në përdorim. Kohëve të fundit përdoren gërshërët më të shkurtëra dhe më të gjëra, me të cilat qethet më shpejt por me një cilësi shumë më të dobët. Mjeshtrit e vërtetë nuk punojnë me këto gërshëre, madje për to konsiderohet edhe si ofendim. Me gëshërët e gjata mund të qethet në disa modele: rrumëll, me lugje dhe të kombiniar, ndërsa me gërshërët e vogla që ndryshe quheshin ,, gërshërët e vllehëve” mund te qethet vetëm një model.

Dhe krejt në fund, e falënderojmë nga zemra edhe njëherë Bajramin, që na respektoi me ftesēn që të jemi pjesë e kësaj tradite baritore, traditë kjo që gati se ishte shuar për një kohë të gjatë. Falë Bajramit që u kthye nga Zvicra për të investiar në fshatin e lindjes, Veshallë, po ringjallet shpresa se bjeshkët e Sharrit, të pasura me kullota cilësore, do mbushen sërish me tufa dhensh!

Vebi Bexheti

Baby Boo