Qendrat e emigrantëve nën llupën e sigurisë


Dy skajet e kufijve mes Serbisë dhe Greqisë, edhe gjatë vitit 2017 kanë qenë nën monitorimin dhe mbikëqyrjen e vazhdueshme të Agjencisë për Zbulim të Maqedonisë.

Aktivitetet e shtuara të grupeve të kontrabandistëve dhe tendencat për riaktivizimin e Rutës Ballkanike, paraqesin njërën prej detyrave kryesore të cilën pjesëtarët e Agjencisë për Zbulim e kanë realizuar gjatë vitit të kaluar.

Ky institucion i lartë i sigurisë, i cili është nën kompetenca të kabinetit të presidentit Gjorgje Ivanov, në Raportin e punës për vitin 2017, mes tjerash thekson se fokusi me migrimin ilegale është përqendruar në mbledhjen dhe përpunimin e të dhënave për valën eventuale të refugjatëve që mund të vijnë nga Lindja e Mesme dhe Afrika Veriore.

“Ne si institucion sigurie, gjatë vitit të kaluar kemi realizuar hulumtime dhe operacione operative, me çka në disa qendra tranzicioni në vend janë marrë në pyetje shtetasit e huaj, të cilët janë vendosur në këto qendra si dhe të njëjtit gjatë gjithë kohës janë vëzhguar. Kësisoj, këmbim i vazhdueshëm i informacioneve është bërë me shërbimet e huaja të sigurisë si dhe në nivel ndërinstitucional me MPB-së, Drejtorinë e Doganave, Grupin e vlerësimit dhe Komitetin Drejtues”, thuhet në Raportin e Agjencisë për Zbulim.

Për dallim nga Raportet e tjera vjetore të organeve të sigurisë në vend, raporti i Agjencisë për Zbulim, ashtu siç edhe mund të pritej, nuk përmban shumë të dhëna, gjegjësisht raste konkrete për punën dhe aktivitet e tyre në terren.

Përshkrimi i veprimtarisë së pjesëtarëve të këtij institucioni është përqendruar vetëm në theksin e fushës së veprimit. Në përpunimin e Strategjisë Kombëtare të Maqedonisë për parandalim dhe luftim të ekstremizmit të dhunshëm, siç thuhet në këtë Raport, kanë marrë pjesë edhe përfaqësues të Agjencisë për Zbulim. Krimi i organizuar jashtë kufijve të vendit tonë, po ashtu ka qenë pjesë e monitorimit dhe hetimeve që kjo agjenci i ka realizuar.

“Agjencia jonë në vitin 2017, njëkohësisht ka qenë i fokusuar në identifikimin e krimit të organizuar, i cili lidhet me më shumë shtete dhe kontinente. Në këtë drejtim, pjesë e këtyre hetimeve kanë qenë kontrabandimi i lëndëve narkotike, cigaret, armët, municionet e ndryshme dhe materie eksploduese. Me interes të posaçëm ka qenë krimi transnacional i lidhur me strukturat politike, korrupsionin, larjen e parave dhe krijimin e zonave tjera për lloje të ndryshme të kriminaliteti”, thuhet mes tjerash në Raportin e Agjencisë për Zbulim.

Kur jemi të bashkëpunimi bilateral, nga kjo agjenci njoftojnë se gjatë 2017 janë realizuar 46 takimeve me përfaqësues të shërbimeve të huaj, nga gjithsej 5 kontinente. Temë e këtyre takimeve, sipas të dhënave në Raport, kanë qenë migrimi ilegal, terrorizmi ndërkombëtar, luftëtarët e huaj e kështu me radhë. Duke synuar parandalimin e sulmeve eventuale nëpërmjet internetit, Agjencia për Zbulim gjatë 2017-ës e ka rinovuar rrjetin e të dhënave në kuadër të institucionit të tyre.

Vendosja mekanizmave të reja kontrolluese, në pajtim me standardet më të larta për mbrojtje nga sulmet përmes internetit, ka qenë sfera e brendshme ku është punuar më tepër, përfshi edhe trajnimin apo aftësimin e nëpunësve të agjencisë për përdorimin e këtyre mekanizmave. Ndryshe, në këtë Raport nuk tregohen numri i masave disiplinore të cilët janë shqiptuar ndaj nëpunësve të Agjencisë për Zbulim.

Gjatë viteve të kaluara, opinioni ishte dëshmitar se si pjesëtarë të këtij institucioni të lartë të sigurisë, duke keqpërdorur autoritetin e tyre, shpeshherë janë ndeshur me nëpunësit e policisë së rregullt. Rasti i fundit i cili publiku kishte ndodhur në gusht të vitit të kaluar, kur nëpunësi i Agjencisë për Zbulim, Bllagojçe Ristovski, u arrestua në Stadiumin e Qytetit, për shkak të zënkës verbale më një pjesëtar të policisë së rregullt.

Baby Boo