Punët ndërtimore në Çarshi të Vjetër shkaktuan reagime në opinion, kompetentët qetësojnë se gjithçka është në mënyrë të rregullt


Aktivitetet ndërtimore në Çarshi të Vjetër të Shkupit me të cilat kryhet zëvendësimi i gurit të dëmtuar të rrugëve ka shkaktuar reagime te opinioni në rrjetet sociale, por morën edhe shpjegim nga pushteti lokal dhe qendror se punët aktuale janë në pajtim me projektin për sanimin dhe ruajtjen e pamjes autentike të Çarshisë të financuar nga Banka Botërore.

Irena Popova, këshilltare në Qytetin e Shkupit nga radhët e VMRO-DPMNE-së, pyeti kush gërmon në Çarshi të Vjetër të Shkupit gjatë orës policore, duke kërkuar përgjigje nga kryetari i Qytetit të Shkupit.

“Kush shkatërron një monument kulturor dhe kush bën biznes nga e gjithë kjo? Derisa populli i mbyllur në shtëpi, në mënyrë kontrabandiste ndërron kalldrëmet. Për gjithë këtë Petre Shilegovi duhet të japë përgjigje të saktë”, theksoi Popova.

Përgjigjja erdhi nga kryetari i Komunës së Çairit, Visar Ganiu, i cili deklaroi se aktivitetet ndërtimore në Çarshi të Vjetër nuk janë në drejtim që të ndryshohet autenticiteti i çarshisë, por që të zëvendësohet guri i dëmtuar travertin me gurë të njëjtë, që të ruhet autenticiteti dhe të krijohen kushte më të mira edhe për zejtarët edhe për turistët.

Ai sot në një deklaratë për mediat theksoi se për realizimin e projektit i kanë marrë të gjitha lejet e nevojshme nga institucionet adekuate në mesin e të cilave edhe nga Drejtoria për Ruajtjen e Trashëgimisë Kulturore e cila kryen mbikëqyrje ndaj gjithë këtij procesi, duke i hedhur poshtë përpjekjet e disa portaleve të cilat, thotë, në mënyrë tendencioze publikojnë informacione pa e vëzhguar përmbajtjen e projektit.

“Për përmbajtjen e projektit, të cilin e filluam në dhjetor të vitit 2019, si dhe për dinamikën dhe fazat e tij, në vazhdimësi e kemi njoftuar publikun. Ky projekt për sanim dhe ruajte të pamjes autentike të Çarshisë së Vjetër të Shkupit parasheh vendosjen e gurit me material të njëjtë si edhe ai paraprak në hapësirë prej 1.800 metra katrorë, i lejuar sipas raportit të analizës laboratorike për përmbushjen e kushteve”, theksoi Ganiu.

Nevoja për zbatimin e projektit, siç tha, del nga dëmtimi i rrugëve në çarshi në periudhën e kaluar.

“Gurët travertin që tani po hiqen, nuk shiten siç dëshiron dikush ta paraqesë këtë. Ata po grumbullohen dhe në periudhën e ardhshme do t’i klasifikojmë dhe do t’i përdorim në rrugën “Samarxhiska” në Çarshi”, tha Ganiu.

Edhe nga Qeveria dje bënë të ditur se janë ruajtur të gjitha procedurat për mbrojtjen e autenticitetit të Çarshisë së Vjetër të Shkupit dhe aktiviteti ndërtimor, të cili financohet përmes Projektit për konkurrencë lokale dhe rajonale, po zhvillohet në pajtim me normat juridike pozitive për ruajtjen e autenticitetit të çarshisë.

Projekti për sanimin dhe restaurimin e çarshisë është financuar nga Banka Botërore me grant në vlerë prej rreth 600 mijë euro, ndërsa përfshin edhe restaurim të 75 dyqaneve dhe unifikim të vitrinave, vendosjen e mbishkrimeve dhe tendave të objekteve, sinjalizim të tërësishëm të çarshisë.

Baby Boo