“Punëdhënësit morën guxim të kërkojnë para për veten” – Nëse paga minimale nuk kalon në Kuvend, protesta në të gjithë vendin


“E rritëm pagën minimale nga 9.000 në 15.000 denarë. Deri në fund të vitit do të jetë 18.000 denarë, nga 9.000 në 18.000, kjo është rritje prej 100%”, tha Zoran Zaev, ish kryeministër. (06.10.2021)
-LSM-ja paralajmëron protesta për më 12.12 shkaku i rrogës minimale, e cila siç paralajmëruat do të jetë 18.000 denarë?

“Sa i takon rrogës minimale, patjetër do të bëhet në fillim të vitit që vjen, vetëm nëse nuk e bllokojnë këta nga VMRO-ja“, tha Kreshnik Bekteshi, ministër i Ekonomisë.

Kërkesa e punëtorëve nuk dallon nga ajo që premtonin politikanët e pushtetit gjatë zgjedhjeve. Por, as dje nuk u arrit marrëveshje mes punëdhënësve dhe punëtorëve që rroga minimale të jetë 300 euro. Sipas LSM-së, për Qeverinë ishte i pranueshëm modeli që e propozuan, andaj i bëjnë thirrje që më me guxim të qëndrojë në anën e punëtorëve. Nga Organizata e Punëdhënësve kërkojnë në qoftë se paga minimale rritet, atëherë një pjesë të mbështetet nga Qeveria.

“As sot nuk ka marrëveshje. Është evidente se punëdhënësit kujdesen vetëm për firmat e tyre dhe kapitalin e tyre. Bile morën guxim që të kërkojnë para për veten që të mbijetojnë ata, kurse ne punëtorët mbetëm në mëshirën e fatit”, pohoi Darko Dimovski, kryetar i Lidhjes së Sindikatave të Maqedonisë.

“Projeksioni ynë parasheh kushte më të pranueshme afatgjata për të gjithë punëtorët, sesa kushtet që i ofron Sindikata. Sipas projeksionit tonë rroga minimale do të ishte mbi 16.300”, tha Vlladanka Trajkovska, kryetare e Organizatës së Punëdhënësve.

“Kishte përparim. Një nga konkluzionet e përbashkëta ishte se modeli ekzistues i harmonizimit të rrogës minimale nuk është i pranueshëm për asnjërën palë, as për Sindikatën, as për Organizatën e Punëdhënësve, e bile as për Qeverinë sepse ky model nuk garanton rritje dinjitoze të pagës minimale, nuk i plotëson nevojat reale të punëdhënësve dhe ne e refuzojmë atë”, pohoi Fatmir Bytyqi, zëvendëskryeministër.

Edhe pas tre takimeve, nuk është gjetur gjuhë e përbashkët dhe marrëveshje. Nëse më 10 shkurt propozim-ligji për rrogë minimale nuk kalon në Kuvend, nga Lidhja e Sindikatave paralajmërojnë protesta në mbarë vendin, ndërsa bordet e grevës tashmë janë bërë gati.

Baby Boo