Publikohet video e arratisjes spektakolare të kriminelit francez nga burgu


Krimineli famëkeq francez Redoine Faid (46) i dënuar me 25 vjet burgim të dielën u arratis nga burgu Reau në departamentin Seine-et-Marne, me helikopter dhe me ndihmën e tre personave të armatosur me armë automatike, shkruan BBC.

Portali francez “ACTU Penitentiaire” ka ardhur deri te posedimi i dy videove të cilat i ka publikuar përdoruesi i rrjetit social Snapchat, Amiky.

Portali shkruan se ministrja e drejtësisë Nicole Belloubet ka thënë se kryerësit disa muaj e kanë hulumtuar rajonin me dronë në mënyrë që të përgatiten për arratisjen e Faid-it.

“Ishte arratisje e pabesueshme për të cilën nevojiteshin operativët mirë të përgatitur. Kjo është padyshim diçka e jashtëzakonshme. Të gjithë jemi të befasuar. Duket se të gjitha parakushtet e sigurisë ishin plotësuar. Operativët e kanë xhiruar rajonin me dron e më pas kanë ateruar në oborr të burgut në vendin e vetëm i cili nuk ishte i mbrojtur me litarë të sigurisë”, ka thënë Belloubet.

Belloubet ka thënë se personeli nuk ka bërë asnjë gabim. “Personeli i burgut është i shokuar. Gjithçka iu është dukur joreale. Nëse ka pasur ndonjë gabim, ato kanë qenë pasive”, ka shtuar ajo.

Të përkujtojmë, ndihmësit e Faid-it para ndërhyrjes në burg e kanë kidnapuar një instruktor të fluturimit dhe i kanë urdhëruar që ta ulë helikopterin në oborr të burgut. Derisa një anëtar i ekipit e ruante helikopterin, dy operativë me ndihmën e sharrës metalike dhe bombave tymi e nxorën Faidin nga dhoma për vizita ku ai ishte duke biseduar me vëllanë e tij.

Më pas Faid dhe ndihmësit e tij fluturuan në vendin Gonesse ku e braktisën helikopterin dhe vazhduan arratisjen me veturë. AFP shkruan se gati tre mijë policë momentalisht janë duke e kërkuar Faidin i cili është ende në arrati. Piloti i helikopterit u lirua dhe u pranua në spital për shkak të shokut të cilin e kishte përjetuar.

Baby Boo